2011-12-06 14:16:40

Me 6 dhjetor Kisha kremton festën e shën Kollit, ipeshkëv


Fama e Shën Nikollës ipeshkëv është universale: dokumentohet nga Kishat dhe veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pàtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie.
Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.
Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.
Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij.
E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “fërliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin.
Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në fshatin Velezhë së Prizreni në Kosovë, që e ka edhe pajtor.
Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.
Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve, i peshkatarëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.







All the contents on this site are copyrighted ©.