2011-12-06 15:26:56

Konferencë për diskriminimin antikristian në Moskë. Katolikë e ortodoksë në mbrojtje të vëllezërve të persekutuar


Të bashkojmë përpjekjet për t’iu kundërvënë diskriminimit të të krishterëve në botë: kjo është thirrja e këtyre ditëve në Moskë, ku u mbajt Konferenca ndërkombëtare për diskriminimin dhe persekutimin e të krishterëve. Takimi u organizua nga Patriarkana e Moskës. Në ndërhyrjen e tij, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në konferencë, kryeipeshkvi Ervin Jozef Ender, vuri theksin në lidhjen, që ekziston ndërmjet mohimit të lirisë fetare dhe krimeve, shkaktuar nga urrejtja për pakicat fetare. Në këtë takim, mori pjesë edhe kryeipeshkvi katolik i Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Peci, i cili, në mikrofonin tonë, ndalet në impenjimin e përbashkët të katolikëve dhe ortodoksëve kundër çdo forme intolerance fetare:
Para së gjithash, mendoj se duhet folur për rëndësinë e ngjarjes. Kjo konferencë, organizuar nga Patriarkana e Moskës, kishte si qëllim të tërhiqte vëmendjen ndaj persekutimit të të krishterëve në të gjithë botën e, në veçanti, në ato vende ku persekutimi është i përgjakshëm. Së dyti, Konferenca vuri në dukje se ç’lloj kontributi mund të japin Kishat e krishtera.
Është interesant fakti, që kjo konferencë u zhvillua në Moskë e në të mori pjesë edhe një përfaqësues i Selisë së Shenjtë. Sipas jush, cilat janë hapat për t’u bërë pas kësaj ngjarjeje?
Prania e Kishës Katolike, me kryeipeshkvin Ervin Jozef Ender, i dërguar nga Papa, prania e nuncit dhe e Kishës Katolike lokale i dha një horizont universal shqetësimit për problemin në fjalë. Në ndërhyrjen e tij, prof. Masimo Introvinje kujtoi se nëse kjo situatë nuk merret seriozisht, fjalët tingëllojnë bosh. Çfarë perspektivash dolën nga Konferenca? Së pari, u nënvizua mundësia e kontrollit të vazhdueshëm të ngjarjeve në botë dhe mundësia e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Kishave. Nga njëra anë, kjo na bën të kuptojmë rëndësinë e lutjes për njëri-tjetrin dhe, nga ana tjetër, na mundëson të bëhemi të vetëdijshëm që fenomeni i martirizimit është i lidhur ngushtë me nevojën e dëshmisë së krishterë.
Ky impenjim mund të jetë edhe element i bashkimit më të madh ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, apo jo?
Pa dyshim që po! Në ndërhyrjen time të shkurtër nënvizova pikërisht këtë aspekt: nuk është fjala të mos i marrim parasysh ndryshimet ndërmjet nesh për nuk dihet se ç’qëllim, por vetëdija për persekutimin e vëllezërve tanë në botë na shtyn të shohim më shumë se çfarë kemi të përbashkët. Të fortë nga kjo fe në Krishtin, mund ta japim së bashku dëshminë tonë, për të mbrojtur e për të ruajtur të krishterët në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.