2011-12-06 15:26:18

Benedikti XVI do të kryesojë një Meshë solemne për Amerikën Latine.


Kremtimi i festës së Virgjërës së Guadalupes dhe pavarësia e vendeve latinoamerikane: këto janë arsyet, për të cilat Papa Benedikti XVI do të kryesojë një Meshë solemne, të hënën e ardhshme, më 12 dhjetor, në orën 17.30, në Shën Pjetër. Mesha është organizuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine, me pjesëmarrjen e kardinajve dhe ipeshkvijve të vendeve të ndryshme të zonës, si edhe të personaliteteve politike e diplomatëve nga Spanja, Portugalia, SHBA-të dhe Kanadaja. Para Meshës, disa të rinj latinoamerikanë do të përshkojnë Bazilikën e Vatikanit me flamujt e tyre kombëtarë e do të nderojnë figuren e Zojës së Guadalupes në elter. Mbi rëndësinë e kësaj meshe, folëm me sekretarin e Komisionit Papnor për Amerikën Latine, prof. Guzmàn Carriquiry:
Është një gjest i madh përzemërsie nga ana e Papës për Amerikën Latine, është nxitje për Kishat e atij kontinenti. Sigurisht, Amerika Latine vuan nga plagët e dhunës, të trafikut të drogës, të pabarazisë, të sulmeve kundër familjes, por nuk është vetëm kjo: Amerika Latine përjeton edhe një çast të volitshëm zhvillimi të madh ekonomik, kapërcimi të varfërisë, protagonizmi në skenën ndërkombëtare. Mendoj se sfidat e Kishës në Amerikën Latine janë të jashtëzakonshme, por më e madhja është gjithnjë brenda saj. Sfida më e madhe për Kishën është mikpritja, pranimi, kremtimi, përjetimi e komunikimi i trashëgimisë së madhe fetare, që Provania Hyjnore u ka dhënë popujve të Amerikës Latine. Në këtë kuptim, Mesha e 12 dhjetorit, në festën e Zojës sonë të Guadalupes – “Pedagogja” e fesë, e inkulturimit të fesë në zemrën e popujve tanë, Ylli i ungjillëzimit të ri – do të na ndihmojë ta realizojmë në jetën e njerëzve atë, që e besojmë me fe, por edhe e dëshmojmë përmes përvojës historike e personale të latinoamerikanëve, që tregon se Krishti arrihet përmes Marisë. Mendoj se kjo Meshë e 12 dhjetorit do t’u kujtojë latinoamerikanëve ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qënies të krishterë.
Gjatë Meshës së 12 dhjetorit do të ekzekutohen edhe disa këngë kreole. Cili është kuptimi i këtij aspekti liturgjik?
Në marrëveshje me Mjeshtrin e Kremtimeve Papnore, Kyrie, Gloria, Sanctus dhe Agnus Dei do të merren nga muzika e Ariel Ramirez, kompozitor argjentinas, e nga vepra e tij “Mesha kreole – Misa criolla”. Është muzikë kishtare, me rezonancë të fuqishme latinoamerikane, edhe pse ndihmohet e mbështetet nga përdorimi i instrumenteve muzikore të Argjentinës së veriut e të zonës andine. Nëse Zoja e Guadalupes është “Pedagogja” e fesë në Amerikën Latine, pse të mos realizohet një liturgji me dinjitetin, solemnitetin dhe bukurinë, që do Ati i Shenjtë për çdo liturgji, por njëkohësisht, pa e ulur këtë dinjitet, solemnitet e bukuri, edhe me një rezonancë latinoamerikane?
Parashikohet të marrin pjesë jo vetëm kardinajt e ipeshkvijtë, që do të vijnë nga Amerika Latine, por edhe latinoamerikanët, që banojnë në Romë…
Po, sigurisht: do të jetë i pranishëm Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë dhe presidenca italiane, rregulltarë e rregulltare latinoamerikane me eprorët e tyre, që ndodhen në Romë, meshtarë latinoamerikanë, që studiojnë në Universitetet Papnore. Kemi menduar edhe diçka simpatike për bashkësinë e emigrantëve latinoamerikanë, që banojnë në Romë. E dimë se shpesh bëjnë punë të rënda, me orar të zgjatur, prandaj, unë kam shkruar një letër, që u drejtohet punëdhënësve, duke u kërkuar një gjest mirësie, solidariteti, për t’u lejuar atyre, që e mbajnë gjallë traditën fetare dhe zjarrin tipik të popullit latinoamerikan, të mungojnë nga puna, të paktën për kohën e zgjatjes së kremtimit. Kjo do të favorizojë pjesëmarrjen e tyre në Meshë.







All the contents on this site are copyrighted ©.