Më 5 dhjetor kalendari përkujton shën Pelinin, ipeshkëv e martir nga Durrësi.
Më 5 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull
VII me origjinë nga Durrësi. Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte murg
bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant, së pari, gjatë perandorit Herakli
I e më pas, gjatë Kostantit II (648). U transferua në Brindizi së bashku me dishepujt
e vet, Gorgonin, Sebastin dhe Çiprion. Ndeshja ndërmjet Romës dhe Bizantit u ashpërsua
deri atje, sa papa Martini I e shkomunikoi patrikun Serxho dhe heretikët, por u arrestua,
u internua në Kostandinopojë e më pas në Kerson të Krimesë, ku vdiq në vitin 655.
Ndërkaq, në Brindizi, Pelini i qëndroi besnik e pas vdekjes së ipeshkvit të atëhershëm
Proklit, u zgjodh në krye të dioqezës së Brindizit. Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet
e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine, më urdhër
të basileusit (pushtetarit) e internuan në Korfinio (Abruco e sotme), ku u dënua me
vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662. U shpall
shenjt në vitin 668 nga Çiprio, pasardhësi i tij në krye të dioqezës së Brindizit.
Në atë rast, u hartua edhe një “Jetë” e shenjtit, ndoshta nga vetë Çiprio, i cili
mund të ketë ngritur në Brindizi, edhe vendin e parë të kultit të shën Pelinit. Për
shekuj, ka qenë pajtor i Brindizit së bashku me shën Leuçon. Në vitin 1771 iu kushtua
një elter në Katedralen e qytetit, ku martirizimi i tij paraqitet në një pikturë të
Oronco Tizos. Shën Pelini është pajtor i dioqezës së Sulmona-Valvës. Një bazilikë
e shenjtit ndodhet në Korfinio e kulti i tij në Marsika dëshmohet edhe nga emri i
fshatit shën Pelini, pranë Avecanos, ku mendohet të ketë kaluar shenjti, pas një udhëtimi
në Romë.