2011-12-05 16:34:35

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa propozon thirrjen e Gjon Pagëzuesit për kthim tek Zoti. Jeta e të krishterit duhet të jetë e thjeshtë. Solidaritet e asistencë për emigrantët e refugjatët pa atdhe.


Thjeshtësia, si stil jete dhe kthimi i zemrave kah Zoti, në qendër të fjalëve të Papës i cili, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u nisur nga liturgjia e djeshme, kujtoi figurën dhe shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit, që përgatit pikërisht udhën e ardhjes së Zotit. Më pas, një thirrje e fortë për solidaritet ndaj njerëzve, që detyrohen të braktisin vendet e tyre, duke kujtuar edhe se pas pak ditësh, do të kremtohet 50-vjetori i themelimit të Organizatës Botërore të Emigracionit; 60-vjetori i Konventës për statusin e refugjatit dhe 50-vjetori i Konventës për kufizimin e rasteve të apolidisë. Kujtojmë se apolidë quhen njerëzit që nuk kanë kurrfarë kombësie. Sepse ka edhe të tillë në botë.RealAudioMP3

Në Kohën e Ardhjes, figura asketike e Gjon Pagëzuesit na flet më shumë se kurrë, duke na kujtuar ç’do të thotë të pendohesh me gjithë zemër. Benedikti XVI e kujtoi, duke nënvizuar se vetë Jezusi, një herë, e përshkroi, duke ua kundërvënë atyre që jetojnë në pallate mbretërore, që veshin rroba luksoze, që shtrohen ditë për ditë në sofra plot salltanet:
“Stili i Gjon Pagëzuesit u kujton gjithë të krishterëve se duhet të zgjedhin një mënyrë të thjeshtë jetese, posaçërisht në sa përgatiten për festën e Krishtlindjes, në të cilën Zoti i pasur, siç do të thoshte Shën Pali, u bë i varfër për ju, që ju të bëheshit të pasur, përmes varfërisë së tij”.
Zëri i Gjon Pagëzuesit përshkon shekujt. Arrin deri tek ne. Na fton të pendohemi në thellësitë e shpirtit, t’ia hapim zemrat e pastruara nga mëkati, Zotit që vjen:
“Pagëzimi i tij lidhet me ftesën e zjarrtë për një mënyrë të re mendimi e veprimi, lidhet posaçërisht me kumtimin e gjyqit të Zotit dhe të dukjes së afërt të Mesisë, të cilin e quan ”ai që është më i fortë se unë”, e “ që do të pagëzojë në Shpirtin Shenjt”.
Gjon Pagëzuesi, nënvizoi Papa, vijon të na bëjë thirrje për kthesën e zemrave:
Ndërsa përgatitemi për Krishtlindje, ka shumë rëndësi të hyjmë brenda vetes e ta rrëmojmë sinqerisht jetën tonë. T’ia hapin rrugën e shpirtit rrezes së dritës, që vjen nga Betlehemi, që buron nga Ai, i cili ‘është më i Madhi”, e u bë më i vogli; Ai, që është ‘më i fuqishmi’, e u bë ‘më i ligështi”.
Papa kujtoi se të katër Ungjilltarët e përshkruajnë predikimin e Gjon Pagëzuesit, duke kujtuar një fragment nga Libri i Izaisë Profet: “Një zë bërtet! Një zë dëgjohet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!”. Janë fjalë që vijnë nga Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër, shpjegoi Ati i Shenjtë. Na kujtojnë ndërhyrjen shpëtimtare të Zotit, i cili nuk është më i panjohur, as i panjohshëm. Mund ta njohim, ta takojmë, sepse zbret nga qielli, për të gjykuar e për të shëlbuar. Atij duhet t’ia hapim zemrat e portat, Atij, t’ia përgatisim rrugën.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi njerëzit, që detyrohen të largohen nga vendi i tyre për shkaqe nga më të ndryshmet dhe kërkoi për ta solidaritet:
“Ia besoj Zotit të gjithë ata, që detyrohen ta lënë vendin e tyre, ose që janë pa kombësi. Ndërsa inkurajoj solidaritetin ndaj tyre, lutem për njerëzit, që përpiqen t’i mbrojnë e t’i strehojnë këta vëllezër në situata emergjence, plot mundime e rreziqe”.

Pastaj, në përshëndetjet drejtuar grupeve të gjuhëve të ndryshme, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, ftesa për t’ia përgatitur rrugën Zotit:“…n’ayons pas peur de vivre dans l’espérance. Dans notre monde traversé par l’incertitude et la violence, que ce temps de l’Avent…”Në gjuhën franceze, Papa i inkurajoi besimtarët ta jetojnë Kohën e Ardhjes plot shpresë, edhe pse në një botë plot vështirësi, paqartësi, pasiguri e dhunë.
“… God-with-us, may find us ready when he comes….”
Në anglisht, porosia për të qenë plotësisht gati kur Jezusi, Emanueli, Zoti me ne të na trokasë tek porta.
“Palabra de Dios ilumina las actitudes espirituales necesarias para acoger la venida del Señor…”.
Ftesa për ta dëgjuar me vëmendje të madhe Fjalën e Zotit, që rrezaton dritën e vet në shpirtrat e njerëzve, duke i gatitur ta presin si duhet ardhjen e Zotit, në gjuhën spanjolle.
Në përfundim, përshndetja besimtarëve të ardhur nga krahina të ndryshme të Italisë dhe të gjithë shtegtarëve, të pranishëm fizikisht ose shpirtërisht në lutje:“Të gjithëve, urimi të diele të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.