2011-12-03 17:43:30

Me 4 dhjetor kalendari kujton shën Barbarën


Lindi në Nikomedi, në vitin 273. U dallua për zellin në studime e për natyrën jashtëzakonisht të përmbajtur. Emri i saj, Barbara, ka kuptimin ‘e huaj”, ‘jo romake’. Dihet se ndërmjet viteve 286-287 u vendos në vilën fshatarake të Skandrilies, në provincën e sotme italiane të Rietit, së bashku me shoqëruesit e babait të saj, Dioskoros, bashkëpunëtor i perandorit Maksimilian Herkuleu. Kthimi i Barbarës në fenë e krishterë e zemëroi shumë Dioskoron. Vajza u detyrua të ikte në pyll, pasi pati shkatërruar shtatoret e hyjnive pagane në vilën atërore. Por nuk mundi të shpëtonte, sepse e ndoqën dhe e gjetën. Si e kapën, ia dorëzuan prefektit Marciani. Gjatë procesit gjyqësor, që nisi më 2 dhjetor të vitit 290, Barbara e mbrojti me guxim të madh besojmën e saj dhe i nxiti me zjarr prefektin dhe ndihmësit e tij ta braktisnin fenë pagane, duke u kthyer në fenë e Krishtit. Të pranishmit iu përgjigjën me tortura të llahtarshme. I duroi me heriozëm, deri më 4 dhjetor, kur vetë i ati, Dioskoro, ia preu kokën me shpatë. E ndërsa kryente këtë krim të shëmtuar për nder të zotave të rremë, një rrufe e papritur zbriti nga qielli, e goditi dhe e ktheu në një copë të mjerë karboni. Prej këndej, Shën Barbara të mbron nga rrufetë, nga zjarri e nga vdekja e papritur.
Është pajtore e arkitektëve, e njerëzve që janë në grahmat e vdekjes, e zjarrfikësve, e prodhuesve të barutit e të pushkëve.
Simbole të Martires janë palma e kulla.
Në martiriologun romak, për Shën Barbarën shkruhet: “Ishte nga Nikomedia, Shën Barbara që, sipas traditës, qe virgjër e martire”.







All the contents on this site are copyrighted ©.