2011-12-03 16:07:49

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së Dielës së 2-të të Ardhjes


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II-të të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Koha e Ardhjes është kohë pritjeje. Derisa përkujtojmë ardhjen e parë të Krishtit në histori, liturgjia e Fjalës së Zotit, na fton të vihemi në perspektivën e ardhjes së dytë të Mbretërisë së tij Hyjnore. Gjatë pritjes e përgatitjes sonë shpirtërore për Ardhjen e Krishtit në jetën tonë, si në këtë të diele të dytë po edhe në atë të tretë të Ardhjes, na ndihmon shembulli e figura e Shën Gjon Pagëzuesit. Ai vazhdon akoma, në Kishë, misionin e tij të përgatitjes së një populli mirë të prirur ndaj Krishtit. Përveç thirrjes për t’u kthyer tek Zotit, Gjon Pagëzuesi na mëson si të identifikohemi e mishërohemi me Fjalën e Zotit.
LITURGJIA E FJALËS
Leximi i pare (Is 40, 1-5. 9. 11.)
Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Hyji e bën ecjen drejt tokës së premtuar pa rreziqe dhe vështirësi të mëdha, duke i zbuluar popullit se Ai vjen për të jetuar me të.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshtë: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!”
Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; ngrihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.”
Fjala e Zotit !

Psalmi 85 (84)

Ref:
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde
Dhe na jep shëlbimin tënd.
_____________
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen.
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
_____________
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
_____________
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
_____________
Leximi i dytë (2 Pjt 3, 8-14)
Të krishterët e parë për një gabim të parashikimit të së ardhmes pritnin menjë-herë ardhjen e Zotit. Por Zoti, para se të kthehet, pret përfundimin e historisë njerëzore që ne nuk e njohim. Për këtë Ai provokon dishepujt e tij të jetojnë konkretisht jetën e tyre në botë sikur Zoti po vjen tani. Të krishterët janë ata që jetojnë çdo ditë në mënyrë aktive duke pritur ardhjen e Zotit.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Pjetrit apostull

Një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme. Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen.
Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejtë do të zhduken me krizmë, elementat do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.
Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtni, ju që e prisni dhe e shpejtoni ditën e ardhjes se Hyjit, në të cilën qiejtë do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë. Ne veç, sipas premtimit të tij, presim qiellin e ri dhe tokën e re, ku banon drejtësia.
Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe!

Fjala e Zotit

ALELUJA, Aleluja.
Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija!
Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit. Aleluja.

V Ungjilli (Mk 1, 1-8)
Ungjilltari Marku shpall Ungjillin si një “lajm të mirë” të përjetshëm, drejtuar një populli që pret realizimin e vetë shpresës. Gjon Pagëzuesi i shpall popullit të Izraelit ardhjen e Mesisë: Ai është “zëri” që thërret në shkretëtirë, aty ku populli i Hyjit maturohet nëpërmjet vështirësive. Ai denoncon gënjeshtrat dhe padrejsitë e njerëzve, dhe shpall se ardhja e Hyjit kërkon pendesë dhe kthimin e zemrave.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit. Në përkim me fjalët që shkruan Isaia profet: “Qe, unë po dërgoj lajmëtarin tim para teje që do ta bëjë gati udhën tënde; është zëri i njërit që bërtet në shkreti: Bëni gati udhën e Zotërisë, rrafshoni shtigjet e tija”.
Në shkreti u duk Gjon Pagëzuesi e predikonte një pagëzim pendese për faljen e mëkateve. Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai. Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan.
Gjoni ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Në predikimet e veta thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandalëve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.”
Fjala e Zotit!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 2-të të Ardhjes, mund të dëgjoni duke klikuar këtu....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.