2011-12-03 17:41:49

Atë Federiko Lombardi: “Ç’do të bëhet me këtë foshnjë?”


Koha e Ardhjes, në të cilën kemi hyrë, që të dielën e kaluar, është kohë e përgatitjes shpirtërore për të pritur sa më mirë Foshnjën Hyjnore, lindjen e Jezu Krishtit. Ardhja e këtij fëmije në botë, nuk mund të mos na nxisë të reflektojmë mbi fatin e të gjithë fëmijëve të botës. Këtë bën edhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi në komentin e tij javor, ku i rikthehet edhe udhëtimit të fundit të Papës në Afrikë. Ta dëgjojmë:
““Ç’do të bëhet me këtë foshnjë?”. Është pyetja e Ungjillit, që e kanë në gojë miqtë e të afërmit, pas lindjes së Gjonit, i cili më vonë do të quhet Gjon Pagëzuesi, e kjo është edhe pyetja, që bëjmë të gjithë, para mrekullisë së një fëmije që vjen në jetë. Pyetja përmban në vetvete shpresë, por edhe një lloj shqetësimi.
Është pyetja që i bëmë vetes në takimin e Papës me fëmijët para dy javësh – pa dyshim, çasti më i bukur e më mallëngjyes i krejt udhëtimit në Benin – kur Atin e Shenjtë e shoqëronin dhe e rrethonin fëmijë të mrekullueshëm, që kërcenin, të kapur për dore me të. Dokumenti sinodal, që Papa çoi në Afrikë, në një pjesë impresionuese, rreshton disa nga “trajtimet e patolerueshme kundër shumë fëmijëve”: “Fëmijët e vrarë para se të lindin, të vegjlit e padëshiruar, jetimët, albinët, fëmijët e rrugës, të braktisurit, fëmijët-ushtarë, fëmijët e burgosur, të vegjlit që detyrohen të punojnë, ata që keqtrajtohen për shkak të ndonjë të mete fizike ose mendore, ata që konsiderohen shtriganë, fëmijët që shiten si skllevër seksi, ata që traumatizohen, pa asnjë perspektivë për të ardhmen…”.
Për të gjithë këta, Kisha e di mirë se duhet të impenjohet deri në fund. Ndër mëse 125 mijë institucione të shëndetësisë e të bamirësisë së Kishës në botë, mëse 20 mijë u kushtohen veçanërisht fëmijëve; shumë të tjera, shkollës, ose ndihmës për fëmijët e rrugës e për ata në vështirësi. Me rastin e një takimi ndërkombëtar për mbrotjen e fëmijëve nga abuzimet seksuale, fjala e imzot Shiklunës (promotor i drejtësisë në Kongregatën për Doktrinën e Fesë), me një “Dekalog” parimesh të qarta e të vendosura, shkaktoi duartrokitje të stuhishme. E është e drejtë të kujtojmë impenjimin e çmuar e bujar të shumë grave, rregulltare e laike, në këtë fushë.
Pa dyshim, një nga format më të bukura e më të dobishme të shërbimit femëror për njerëzimin e Kishën. Në Kohën e Ardhjes e të Krishtlindjes, kohë e Foshnjës Hyjnore, këto janë reflektime, që vijnë vetvetiu: i kemi të gjitha arsyet për të vazhduar të jemi në vijën e parë të këtij fronti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.