2011-12-02 17:29:16

Papa: teologji vërtet katolike, për të shmangur çdo lloj fanatizmi fetar.


Besimtarët kanë nevojë për teologë, që punojnë në bashkim me Kishën: këtë nënvizoi sot paradite Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Komisionit teologjik ndërkombëtar, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e mbledhjes së tyre plenare. Papa ripohoi rëndësinë e harmonisë ndërmjet fesë e arsyes, në kundërshtim me çdo lloj fanatizmi. Së fundi, Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek veprimtaria shoqërore e Kishës e cila, vërejti, nuk është kurrë thjesht teori, por gjithmonë dëshmi ungjillore.RealAudioMP3

Kisha ka nevojë për reflektimin kompetent e besnik të teologëve, shpjegoi Papa, duke vënë, më pas, theksin tek përmasa e besnikërisë në kërkimet shkencore teologjike, që kanë të bëjnë me Magjisterin:
“Pa një reflektim të saktë e të guximshëm teologjik, Kisha rrezikon të mos e shprehë plotësisht harmoninë ndërmjet fesë e arsyes. Njëkohësisht, pa një jetë besnike në bashkimin të thellë me Kishën dhe me Magjisterin, parë si hapësirë jetike e vetë ekzistencës së saj, teologjia nuk mund t’ia dalë mbanesh të gjejë një arsye të drejtë për dhuratën së fesë”.
Në këtë kohë, në sa afrohet Krishtlindja, Papa pohoi se teologu është i thirrur të jetë njeri i kohës së Ardhjes, njeri, i cili i jep gjallëri të re shpresës, që buron nga Pritja. U ndalua, kështu, mbi njërën nga dy temat e mbledhjes plenare të Komisionit teologjik: mbi temën e monoteizmit që, në Kristianizëm, ndriçohet nga drita trinitare. Teologjia e krishterë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet ta rivendosë në qendër të veprimtarisë “Zbulesën Trinitare”:
“Ndonëse konfliktet etnike e fetare në botë e vështirësojnë pranimin e mendimit të veçantë kristian për Zotin e për humanizmin, që frymëzohet prej tij, njerëzit mund ta rinjohin, në Emrin e Jezu Krishtit, të vërtetën mbi Hyjin Atë, drejt të cilit Shpirti Shenjt nxit çdo ofshamë të krijesës”.
Prej këndej, Papa nënvizoi se monoteizmi trinitar, që do të thotë besim në një Zot të vetëm, në Tri Vetje hyjnore, është burimi i vërtetë i paqes personale e universale. E akoma, se pikënisja e çdo teologjie të krishterë është pranimi i kësaj Zbulese hyjnore. Ripohoi, kështu, se teologjia katolike, siç e dëshmon roli i saj historik në lindjen e universitetit, e ka ndjekur gjithnjë me vëmendje të madhe lidhjen e ngushtë ndërmjet fesë e arsyes:
Një teologji vërtet katolike… sot është më e nevojshme se kurrë, për të krijuar simfoninë e shkencave e për të shmangur rrezikun e ravgimit të rrëmbyer në një fe, që i kundërvihet arsyes, edhe në një arsye, që i kundërvihet fesë”.
Në përfundim Papa ceku edhe mendimin e Doktrinës shoqërore të Kishës, temë tjetër e mbledhjes plenare. Impenjimi shoqëror i Kishës, vërejti, nuk është thjesht diçka njerëzore. Nuk është as teori shoqërore. Shndërrimi i shoqërisë përmes veprimtarisë së të krishterëve në rrjedhë shekujsh, është përgjigje reale, që flet vetë për ardhjen e Zotit në botë. Drita e së Vërtetës së krishterë dhe e dashurisë së krishterë, ndriçon çdo kulturë e çdo shoqëri. Prej këndej, një reflektim i posaçëm kushtuar aktualitetit:
“Në bashkëpunimin e nevojshëm në favor të së mirës së përbashkët me njerëzit, që nuk e kanë fenë tonë, duhet t’i vëmë mirë në dukje arsyet e vërteta e të thella fetare të impenjimit tonë shoqëror, ashtu si presim edhe nga të tjerët t’i vënë në dukje arsyet e tyre, në mënyrë që bashkëpunimi të jetë krejtësisht i qartë”.Kush i percepton bazat e veprimtarisë shoqërore të krishterë, përfundoi Papa, mund të nxitet prej tyre për të kërkuar edhe vetë besimin në Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.