2011-12-02 18:15:59

Benedikti XVI studentëve ndërkombëtarë: të jeni protagonistë të misionit të Kishës.


Benedikti XVI u takua sot paradite me pjesëmarrësit në Kongresin III botëror të punës baritore me studentët ndërkombëtarë, organizuar në Romë nga dikasteri vatikanas për emigrantët. Papa theksoi posaçërisht vlerën e takimit ndërmjet kulturave, duke uruar që breznitë e reja të kenë mbështetjen e duhur për të përballuar sfidat e botës së globalizuar e të shekullarizuar.RealAudioMP3

Studentëve, ardhur nga kombe të ndryshme të botës, Papa u drejtoi urimin të bëhen protagonistë në misionin e Kishës:
“Të dashur studentë të rinj, ju inkurajoj ta shfrytëzoni kohën e studimeve, për të fituar sa më shumë dituri e sa më shumë dashuri për Krishtin, ndërsa përshkoni rrugën e formimit tuaj intelektual e kulturor. Duke ruajtur pasurinë tuaj të dijes e të fesë, gjatë përvojës së formimit kulturor jashtë shtetit, ju krijohen mundësitë për të jetuar me frymën e universalitetit e të vëllazërisë, e dhe për të kumtuar Ungjillin”.
Takimi i kulturave, nënvizoi Papa, është realitet themelor për epokën tonë edhe për ardhmërinë e njerëzimit e të Kishës:
“Sot, më shumë se kurrë, komunikimi reciprok ndërmjet kulturave është terren i privilegjuar për dialogun ndërmjet atyre, që janë në kërkim të humanizmit të vërtetë”.
Posaçërisht, në mjediset universitare, duhet inkurajuar e duhet mbështetur takimi i kulturave, bazuar mbi parimet themelore humane e kristiane, sepse kështu mund të rritet një brezni e re, e aftë për të dialoguar e për ta dalluar të mirën nga e keqja:
“Studentët ndërkombëtarë, me formimin e tyre intelektual, kulturor e shpirtëror, i kanë të gjitha aftësitë të bëhen ndërtues e protagonistë të një bote me fytyrë më njerëzore”.
Kisha e shikon botën universitare si fushë tejet të çmuar për ungjillëzimin:
“Universitetet me frymëzim të krishterë, besnike ndaj identitetit të tyre, bëhen vende dëshmimi, ku Jezu Krishti mund të takohet, të njihet, të duhet; ku mund të provohet prania e tij që pajton, paqëton, ngjall shpresa gjithnjë të reja”.
Përhapja e ideologjive të dobëta në fusha të ndryshme të shoqërisë, i nxit të krishterët për një hop të ri në fushën intelektuale. Duke kujtuar rëndësinë e mjediseve edukative, ku bashkëveprojnë formimi intelektual, përmasa etike e impenjimi fetar, Papa nënvizoi se takimi i universitarëve i ndihmon të rinjtë të zbulojnë e të vlerësojnë thesarin e fshehur të çdo studenti ndërkombëtar, për pasurimin njerëzor, kulturor e shpirtëror të të gjithëve:
Të rinjtë e krishterë, ardhur nga kultura të ndryshme, por bij të së njëjtës Kishë të Krishtit, mund t’i tregojnë botës se Ungjilli është Fjala e shpresës dhe e shëlbimit për njerëzit e çdo populli e të çdo kulture, të çdo moshe e të çdo epoke, ashtu si ripohoj në nxitjen time apostolike pas-sinodale të kohëve të fundit “Africae munus” (nn.134.138).E kështu, mendon Papa, universitetet mund të bëhen ‘laboratore të humanizmit”, rrugë për të kërkuar e për të gjetur atë, që dëshiron çdo zemër njerëzore: lumturinë e vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.