2011-12-01 16:34:20

Pema e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit


Mbërriti sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Pema e Krishtlindjes. Këtë vit, u dhurua nga Ukraina. Është një bredh 60-vjeçar, i lartë mëse 30 metra, me peshë 5 ton, ardhur nga pyjet e provincës perëndimore të Transkarpateve. Bredhi do të ngrihet më 5 dhjetor pranë Betlehemit tradicional në sheshin para Bazilikës, por dritat e tij do të ndizen në pasditen e 16 dhjetorit, kur do të përurohet nga kryeipeshkvi Xhuzepe Bertelo, kreu i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, në praninë e ipeshkvijve katolikë të Ukrainës, të ritit latin e bizantin dhe, të përfaqësuesve të Kishës ortodokse ukrainase. Këtë vit, pra, ky takim merr karakter ekumenik. “Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme – deklaron kryeipeshkvi i Kievit dhe i Galicisë, Sviatoslav Shevçuk, kryetari i Kishës greko-katolike të Ukrainës. – Për vendin, kjo është një dëshmi tjetër e rrënjëve të tij evropiane dhe e përkatësisë në familjen e kombeve të Evropës”.
Kujtojmë se çdo vit, druri i pemës, që ngrihet në Sheshin e Shën Pjetrit, merr vlerë shoqërore. Vërtet, zakonisht, i dhurohet ndonjë shoqate, apo bashkësie, që e përdor për qëllime bamirësie.







All the contents on this site are copyrighted ©.