2011-12-01 12:24:51

Martirët, kampionë të fesë, sipas dëshmive arkeologjike, në qendër të vemendjes së Sesionit shkencor publik të Akademive Papnore.


“Dëshmi e dëshmitarë. Martirët, kampionë të fesë”: kjo ishte tema e Sesionit shkencor publik të Akademive Papnore, mbajtur (dje) këto ditë në Pallatin e Shën Piut X, në Rrugën romake të Pajtimit. Organizator i takimit, Këshilli Papnor i Kulturës dhe Këshilli i Koordinimit të Akademive.
Për këtë takim, në mikrofonin tonë flet kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i dikasterit të kulturës:

Përgjigje: - Para së gjithash, kujtojmë se janë shtatë Akademi Papnore, me këndvështrime të ndryshme, që interesohen për tema teologjike e kulturore, në përkim me interesat e tyre të veçanta. Sivjet u aktivizuan dy Akademi. Ajo, që njihet me emrin “Cultorum Martyrum”, e cila merret kryesisht me kultin e martirëve romakë e, në mënyrë të posaçme, me katakombet; dhe Akademia Papnore e Arkeologjisë. Zemra e këtij kremtimi lidhej me dy fjalë italiane, që përbënin edhe titullin e vetë Sesionit. Janë domethënëse për afërsinë e tyre, për asonancën e për rrënjën e përbashkët. Fjalët ‘dëshmi’ e ‘dëshmitarë’. E para është dëshmia e gjallë e martirëve të cilët, me historinë e tyre , me gjakun e tyre, me vetë jetën, fundin e saj e kujtimin që la pas, mbeten prani e vazhdueshme, e pandërprerë e fesë në bashkësitë e krishtera, deri në ditët tona, sepse, siç e dimë të gjithë, martirët nuk i takojnë kohëve të perënduara. Martirët vijojnë të japin dëshminë e tyre për fenë edhe sot e kësaj dite. Përmes kujtimit, por edhe përmes flijimit.
Fjala tjetër është ‘dëshmitarë’. Dëshmitarë mund të jenë jo vetëm njerëzit, por edhe dokumentet, që kemi; materialet, që iu besuan gurit, që iu besuan veprave artistike, që iu besuan shpesh edhe monumenteve. Prej këndej, përmasa arkeologjike: dy elemente: historia dhe dëshmia arkeologjike, dokumenti arkeologjik, u takuan së bashku në këtë kremtim.

Pyetje: - U fol për një të kaluar, që gërmohet për të shpjeguar të sotmen…

Përgjigje: - Ishte një filolog e studies i madh në shekullin e kaluar. Quhej Giorgio Pasquali. Në veprën e tij, shkruar në vitet ’20, pati formuluar këtë deklaratë: “Kush nuk kujton, nuk jeton!”.
Në të vërtetë, të kujtosh do të thotë të kesh identitet; të kesh kujtesë, do të thotë të dish kush je, nga vjen e ku i ke rrënjët, në se i ke ndopak. Për fat të keq, ne jetojmë në një epokë me kujtesë të ligshtë, që dëshiron të harrojë e të harrohet. E kjo e bën edhe më domethënëse përpjekjen për t’u rikthyer tek zanafilla, tek rrënjët e lashta, për të rigjetur identitetin tonë, shpesh të harruar, por jo të humbur. Sepse ai është. E duke e gërmuar, gjejmë figura heronjsh, që nuk u lëkunden kurrë, që mbrojtën bindjet e tyre deri në fund të fundit, deri në dhurimin e gjakut. E pikërisht këtyre njerëzve u kushtohen veprat artistike të lashta e të reja, që ngrejnë në art portretet e pavdekshme të këtyre njerëzve. Kështu ndjejmë një tronditje të dyfishtë, nga dy kryevepra: njeriu i gjallë dhe pasqyrimi tij në artin e popujve. Këto elemente ishin në bazë edhe të këtij sesioni shkencor.

Pyetje: - Kardinali Bertone lexoi një mesazh të Papës Benedikti XVI dhe dorëzoi Çmimin e Akademive Papnore….
Përgjigje: - Po, e njëri nga ata, që e merituan çmimin, ishte ‘Studium Biblicum Franciscanum”, institucion shkencor për kërkime dhe studime akademike të Shkrimit Shenjt dhe të arkeologjisë së vendeve biblike, themeluar nga Rojtaria françeskane e Tokës Shenjte, me qendër në Kuvendin e Fshikullimit të Krishtit, në Jeruzalem. Ky institucion tejet i rëndësishëm i Kishës jo vetëm që i ruan vendet e shenjta kristiane, por edhe, përmes veprimtarisë arkeologjike, punon për të nxjerrë në dritë bukurinë, kujtimin, pasurinë dokumentare e monumentale. Parë në këtë dritë, prania në Tokën Shenjte e françeskanëve, përfaqësuar në Sesionin shkencor nga eprori i tyre, atë Pierbatista Picabala, ishte një mënyrë për të afirmuar se jemi përballë një horizonti të pafund, dëshmitë e dëshmitarët e të cilit nisin, pa asnjë dyshim, në Tokën e Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.