Luksemburg: përfundoi takimi i Këshillit të Evropës për fetë, dialogun dhe kulturat
Përfundoi në Luksemburg, konferenca mbi përmasën fetare të dialogut ndërkulturor,
organizuar nga Këshilli i Evropës. Për dy ditë me radhë, eksponentë të feve të ndryshme
shkëmbyen mendime dhe diskutuan me ekspertë evropianë të kulturës e të mediave. Ia
drejtuam mikrofonin delegatit të Këshillit Papnor për Kulturën, atë Laurent Mazas,
të cilin e pyetëm sa është e vetëdijshme politika për rëndësinë e feve në dialogun
ndërmjet kulturave. Ta dëgjojmë: Po, ky është një proces i gjatë. Më kujtohet
kur fillova të shkoj për Selinë e Shenjtë, në Këshillin e Evropës, në Komitetin e
Drejtorisë së Kulturës, ku flitej për urgjencën e dialogut ndërkulturor e ndërfetar,
për paqen në rrezik e kështu me radhë. Më pas, punuam për t’u bërë atyre të kuptojnë
se njerëzit e fesë mund të dialogojnë ndërmjet tyre në shoqëri, për ta ndihmuar atë
të jetë më e drejtë, në paqe e në vëllazërim. Një proces i gjatë pra, e tani, kjo
lloj tryeze e rrumbullakët tregon se është krijuar vetëdija se feja nuk është diçka
e ndarë nga shoqëria, por ndihmon në ndërgjegjësimin për drejtësinë, për të drejtat
e njeriut e kështu me radhë. Këto kohë, dikasteri për kulturën dhe kreu i
tij, kardinali Xhanfranko Ravazi, impenjohen në “Oborrin e jo besimtarëve”. Ç’kontribut
mund të japë kjo nismë në dialogun ndërkulturor? Në “Oborrin e jo besimtarëve”
- në kundërshtim me atë që ndodh në vende laike, si për shembull, Franca, ku nuk shprehen
publikisht bindjet vetjake - ne duam që ateisti të diskutojë si ateist e besimtari
si besimtar i vërtetë. Kështu, ballafaqimi ndërmjet të dyve do të konceptohet si takim,
si mënyrë për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit e për të përballuar së bashku sfidat e
mëdha të botës së sotme. Tani, njerëzit janë të vetëdijshëm se nuk ka paqe të vërtetë
po të mos takohen me tjetrin, po të mos e zbulojnë pasurinë e brendshme të tij, sado
e ndryshme të jetë nga e tyrja. Një parrullë e Këshillit të Evropës thotë
“Të jetojmë së bashku, duke respektuar ndryshimet”. Nga pikpamja e Kishës Katolike,
si mund të propozohet kjo parrullë? Në zanafillë ishin Adami dhe Eva: pra,
që në fillim, ndryshimet ekzistonin. Pastaj, vjen dashuria, e aftë t’i bashkojë njerëzit,
pavarësisht nga ndryshimet. Katolicizmi sjell dashurinë, por sidomos, çështjen e respektit.
Për shembull, në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Evropës u fol për mediat e
për lirinë e shprehjes. Pa respektin për tjetrin, ku shkojmë? Mendohet se kjo nuk
është vlerë absolute, por s’është kështu, pasi tek tjetri ka diçka që është më e lartë
se ne, ka një përmasë transhendetale. Këtu u tha se duhet të ndërgjegjësohemi për
përgjegjësinë e gazetarit.