2011-11-30 14:36:34

Papa në audiencën e përgjithshme: të krishterët të jenë dëshmitarë të lutjes për të hapur dritaret kah qielli.


Lutja është dhuratë, por kërkon impenjim e forcë shpirtërore nga ana jonë: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, në Sallën e Palit VI, përqendruar tek vendi që zë lutja në jetën e Jezusit. Papa i nxiti të krishterët të jenë dëshmitarë të uratës e të shpresës, sidomos në një botë, që shpesh ia mbyll portat Zotit.RealAudioMP3

Në lutje, Jezusi jeton një lidhje të pandërprerë me Atin, për të realizuar, deri në fund të fundit, planin e dashurisë së tij për njerëzit: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, gjatë së cilës i nxiti besimtarët të ndjekin shembullin e Krishtit, të vijojnë dialogun e përhershëm me Hyjin:
Edhe në lutjen tonë, duhet të mësohemi gjithnjë më shumë të hyjmë në historinë e shëlbimit, pika më e lartë e së cilës është vetë Zoti, duke përsëritur vazhdimisht vendimin tonë personal për t’ia hapur zemrat vullnetit të tij, për t’i kërkuar të na japë forcë ta ballafaqojmë vullnetin tonë me të tijin, në të gjithë jetën, e duke iu bindur planit të dashurisë së tij për ne”.
Lutja e Jezusit, kujtoi Ati i Shenjtë, përshkon tërë fazat e misionit të tij, tërë ditët e tij. Asnjë pengesë, asnjë mundim, asnjë lodhje nuk e mposht. E kjo, sepse mësimi i Jezusit kushtuar lutjes, buron nga fakti se ai është Biri i Zotit, është në lidhje të pashoqe me Hyjin Atë:
Të dëgjosh, të meditosh, të heshtësh para Zotit që flet, është art. Mësohet duke e praktikuar vazhdimisht. Natyrisht lutja është dhuratë e vetë Zotit, është vepër e Hyjit, por kërkon edhe impenjim e vazhdimësi nga ana jonë”.
Duke parë si lutet Jezusi, kujtoi Papa, edhe ne duhet të pyesim veten si lutemi, sa kohë i kushtojmë takimit me Zotin. E ripohoi me forcë sa e rëndësishme është të lutesh, për të ndriçuar jo vetëm vetveten, por edhe e sidomos, botën rreth nesh:
Sot të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të lutjes, pikërisht sepse bota jonë shpesh herë nuk i shikon horizontet hyjnore, as shpresën, që sjell takimi me Zotin. Në miqësinë e thellë me Jezusin e duke e jetuar në Të e me Të marrëdhënien bijnore me Atin, përmes lutjes sonë besnike e të vazhdueshme, mund të hapim dritare kah qielli i Zotit”.
Papa i inkurajoi përsëri besimtarët të ecin në rrugën e lutjes, rrugë që hap gjithnjë shtigje të reja edhe për ata, që janë larg Zotit:
“Të dashur vëllezër e motra, të edukohemi për një lidhje gjithnjë më të thellë me Zotin, për një lutje, jo me hope, por me ngulm, plot besim, të aftë për të ndriçuar jetën tonë, ashtu si na mëson vetë Jezusi. E t’i kërkojmë atij të na japë hirin t’u përcjellim njerëzve, që kemi pranë, atyre që takojmë udhës, gëzimin e takimit me Zotin, dritë për hapat tanë”.
Në çastin e përshëndetjeve, duke folur në gjuhën franceze, Papa kujtoi posaçërisht besimtarët e dioqezës Bellei-Ars, ardhur nga Franca, në Vatikan për t’i dhuruar Bazilikës së Shën Pjetrit një portret të Shën Gjon Maria Vianejt, si kujtim për Vitin Meshtarak, kushtuar Pajtorit të meshtarëve.
Në italisht, Benedikti XVI falënderoi Federatën italiane të furrëtarëve e të pastiçerëve, që dhuroi panetonet për veprat bamirëse të Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.