2011-11-30 17:40:32

Papa i shkruan Patrikut Bartolomeu I për festën e Shën Andreut: “Bota është e përçarë, ta dëshmojmë njëzëri Ungjillin e Krishtit”.


Një fe, e dëshmuar njëzëri, që të jetë e aftë për ta bashkuar njerëzimin e tronditur nga tensione të rënda. Këtë uron Benedikti XVI në mesazhin, drejtuar Patrikut ekumenik ortodoks, Bartolomeu I, me rastin e festës së Shën Andreut Apostull, që nderohet si themelues e pajtor i Kishës së Kostandinopojës. Sipas traditës, një delegacion vatikanas mori pjesë sot, në Stamboll, në kremtimet solemne, të cilat sivjet përkuan me 20-vjetorin e zgjedhjes së Bartolomeut I në krye të Patriarkanës.
“Vijoj ta kemë të gjallë në zemër, kujtimin e takimit tonë të fundit, kur u mblodhëm së bashku, si shtegtarë të paqes, në qytetin e Asizit e reflektuam për marrëdhëniet që na bashkojnë në kërkim të sinqertë të Zotit, të së vërtetës, të paqes e të drejtësisë në botë”. Me këto fjalë nis mesazhi i Papës, tekst në të cilin shprehet miqësia vëllazërore, por edhe reflektohet për realitetin e sotëm kulturor, shoqëror, ekonomik, politik dhe ekologjik, parë si sfidë, që duhet përballuar si nga katolikët, ashtu edhe nga ortodoksët. E sfida më e madhe për të dyja palët, është ta kumtojnë me forcë, njëzëri, Ungjillin në shumë zona, që e morën të parat dritën, por që sot vuajnë nga pasojat e shekullarizimit, i cili e varfëron në kulm shpirtin e njeriut.
E, me që ky kumtim është urgjent – shkruan Papa – e kemi për detyrë t’i tregojmë mbarë botës se jemi njerëz të një feje, që na bashkon, pavarësisht nga tensionet njerëzore. Kjo fe na nxit të kërkojmë njëzëri të vërtetën, me vetëdijen se ardhmëria e Ungjillëzimit varet nga dëshmia e bashkimit, që japin Kishat e nga cilësia e dashurisë së krishterë.Këto fjalë të Papës u lexuan nga kreu i delegacionit vatikanas, kardinali Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në përfundim Liturgjisë Hyjnore, kryesuar nga Bartolomeu I në Kishën patriarkale të Fanarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.