2011-11-30 12:40:37

Papa: duke u lutur e hapim dritaren drejt qiellit të Hyjit


“Sot të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të lutjes personale para botës sonë që është mbyllur ndaj takimit me Zotin”. Kështu tha Papa Benedikti XVI duke reflektuar mbi mënyrën se si lutej Jezusi, gjatë katekizmit të sotëm në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit XVI në Vatikan para mijëra e mijëra besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga mbarë bota.
“Përmes lutjes sonë të pareshtur, që shpreh marrëdhënien birnore me Zotin – shpjegoi Papa – mund të hapim dritaren drejt qiellit të Hyjit, mund ti ndihmojmë të tjerët ta përshkojnë udhën e lutjes, sepse edhe për lutjen e krishterë është e vërtetë që duke ecur udhët hapet”. Për të efikas e kumtues për një botë të mbyllur para Zotit, porositi Benedikti XVI, lutja duhet të jetë “jo e herëpashershme, por e pareshtur, plot besim, e aftë të ndriçojë jetën tonë”. “Ti kërkojmë pra Zotit – nxiti Ati i Shenjtë Ratcinger – që njerëzve që takojmë të mund t’u komunikojmë gëzimin e takimit me Hyjin, dritë për ekzistencën tonë”.
Benedikti XVI, që në audiencat e mëparshme pat shtjelluar para besimtarëve llojet e lutjes së Besëlidhjes së Vjetër, sot gjatë katekizmit të tij u ndal te lutja e Jezusit, “kanali sekret – e quajti Papa – që ujit ekzistencën e tij dhe e çon me vendosmëri në dhuratën e plot të vetvetes, sipas botëkuptimit të dashurisë së Hyjit atë”.
Papa prandaj tregoi se si Jezusi është lutur pas pagëzimit në lumin Jordan e një sërë rastesh tjera, siç bëri pas shumëzimit të bukëve e peshqve. Papa u kërkoi besimtarëve të mësojnë të lutjen nga Jezusi, i cili “sipas zemrës së vet njerëzore ka mësuar të lutet nga nëna e tij e nga tradita hebraike, mirëpo lutja e tij buron edhe nga një rrënjë më e thellë, nga marrëdhënia birnore me Hyjin”. Edhe në lutje, në Krishtin, realizohet një “gërshetim i traditës së popullit të vet me risinë që sjell Ai”. “ Po sot a bëhet në mënyrë të mjaftueshme formimi dhe edukimi në lutje? A i kushtohet mjaft kohë lutjes?”, pyeti Papa Benedikti XVI. Lidhur me këtë Papa kujtoi që ‘lectio divina’, do të thotë dëshmimin, meditimin dhe leximin e Shkrimeve të Shenjta biblike është një art i mësimit se si duhet të lutemi para Hyjit, urata pra është dhuratë e cila kërkon të pranohet, me vazhdimësi e qëndrueshmëri”. Papa Ratcinger e përfundoi reflektimin e tij mbi rëndësinë e faktit që të krishterët duhet të dëshmojnë bukurinë e vlerën e lutjes para një bote të mbyllur ndaj Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.