Katër vjet më parë, më 30 nëntor 2007, botohej “Spe salvi” - 'Me shpresën
shpëtuam'., Enciklika e dytë e Benediktit XVI. Në këtë dokument magjistral, Papa
ndalohet në mënyrë të veçantë tek natyra e vërtetë e shpresës së krishterë. Është
shpresë e ushqyer nga besimi në Zotin dashuri e që, pikërisht për arsye të kësaj zanafille,
nuk është kurrë individualistike, por gjithnjë plot vëmendje ndaj të afërmit. Benedikti
XVI frymëzohet nga një fragment i Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm 8,24),
ku Apostulli pohon “në shpresë kemi qenë shëlbuar edhe ne”, për të zhvilluar reflektimin
e tij mbi fiziononimë e shpresës së krishterë. E nënvizon sidomos lidhjen e saj të
ngushtë me fenë. Fjala ‘shpresë’ lidhet ngushtë me fjalën fe - shpjegon Papa - duke
shtuar se kjo dhuratë ia ndryshon krejtësisht jetën atij që e merr. Por ku e si mund
ta gjejmë këtë shpresë, që shndërron? Benedikti XVI e shpjegon në lutjen e Engjëllit
të Tënzot të datës 2 dhjetor 2007: “Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin
e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me
ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe,
sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk mund ta mposhtë as vdekja,
sepse kush ia beson jetën e vet këtij Ati, do të jetojë në lumninë e amshuar”. Një
shpresë në të cilën mund të besojmë, pra, për të cilën njeriu ka nevojë edhe në kohët
e zhvillimit të vrullshëm teknologjik: “Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon
Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale,
kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu
dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt
pa shpresë”. Shpresa – pohon Ati i Shenjtë Racinger – pa dyshim kontribuon shumë
për të mirën e njerëzimit, por nuk është në gjendje ta shpëtojë. Njeriun e shpëton
dashuria, që e bën të mirë e të bukur jetën personale e shoqërore: “Prandaj shpresa
e madhe, e plota e përfundimtarja, sigurohet nga Hyji, që në Jezusin na vizitoi e
na dha jetë e në Të do të kthehet në mbarim të kohëve. Në Krishtin shpresojmë, Atë
presim!”.