Meshtari i mirë kosovar dom Tomë Gjugja ndërroi jetë papritmas dje më 30 nëntor. Don
Toma qe njeri i Zotit, i mirë, bujar, i gatshëm e i papërtueshëm kurdoherë për çdo
person e për çdo besimtar, punëtorë i thjeshtë në vreshtin e Hyjit, prift i vëmendshëm
ndaj nevojave të popullit, dëshmitar besnik i mësimeve ungjillore, atdhetar i bindur.
Shërbëtori i Zotit don Toma, meshtar i Kosovës, lindi më 04. 11. 1955 në fshatin
Velezhë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren.
Studimet filozofike e teologjike në Zagreb të Kroacisë. Më 18. 07. 1987 shugurohet
meshtar. Pas shugurimit shërben për dy vjet si kapelan në fshatin Stubëll në famullin
e Shën Jozefit, pastaj si famullitar në fshatin Peshter (1989-1994). Me 30. 09.
1994 shkon në Shqipëri, ku deri më 2001 shërben si famullitar në Gramz, duke shërbyer
edhe në dy filiale tjera kishtare: Thuman dhe Borizanë. Më vonë, për dy vjet qe famullitar
i Bizës - duke shërbyer edhe në kishën e shën Pjetrit në Fushë Drraç, në kishën e
shën Vlashit në Drraç dhe në atë të shëna Ndout në Kep të Rodonit. Në verë të vitit
2003 transferohen në Durrës si ndihmës famullitar në Kishën e shën Luçisë. Në vitin
2005 kthehet në Kosovë, dhe shërben deri në vitin 2007 si ndihmës famullitar në Bishtazhin
në Kishën e Zojës Rruzare. Përkujdesej edhe për filialen kishtare të famullisë së
Becit, në Janosh. Nga viti 2007 qe ndihmës famullitar në shenjtëroren e Zojës së Madhe
në Letnicë. Ndërroi jetë papritmas më 30. 11. 2011 pikërisht në shenjtëroren më
të njohur të Kosovës, Letnicë të Vitisë. Mesha e dritës, funerali do të kremtohet
nesër në ora 11.00 në Kishën e Shën Nikollit në fshatin Velezhë të Prizrenit.
Në
një intervistë për Radio Vatikanin më 2001 gjatë misionit të tij meshtarak në Shqipëri,
dom Tomë Gjugja mes tjerash u shpreh kështu pikërisht mbi veprimtarinë e tij ungjillëzuese
e humanitare, ta dëgjojmë...
Jepja,
o Zot, pushimin e pasosur! – E i ndrittë drita e pambaruar! Pushoftë në
Paqe!