2011-11-29 16:19:44

Vdes në SHBA-të vajza e vetme e Stalinit


Svetlana Alilujeva, vajza e vetme e liderit komunist sovjetik, Josif Viserjanoviç Stalin, ka vdekur në SHBA-të në moshën 85 vjeçare. Ajo ndërroi jetë, e sëmurë me tumor, më 22 nëntor, por lajmi botohet sot në gazetën “Nju Jork Tajms”.
Prej vitesh, gruaja, që mohoi të atin, duke u bërë simbol i amerikanëve antikomunistë, e quante veten Lana Peters, me mbiemrin e burrit të saj të fundit, për të mos u njohur nga njerëzit. Vdekja e saj ishte lajmëruar në ndonjë faqe interneti, por verifikimi ishte i pamundur, pasi edhe agjencia, që organizoi funeralin, refuzoi të jepte informacione.
Svetlana u largua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1967. Shkoi në Indi, për të çuar hirin e burrit të saj indian, Brijesh Sing, por shfrytëzoi rastin për të kërkuar strehim politik në ambasadën amerikane. Në SHBA-të u martua me arkitektin amerikan Uesli Peters. Pas ndarjes me të, u transferua në Britaninë e Madhe në vitin 1982. U kthye për një periudhë të shkurtër në Moskë, por në vitin 1987 i dhanë lejen britanike të qëndrimit. U vendos në Londër, ku jetoi edhe me vështirësi të mëdha, në një shtëpi për të varfër. Pas ikjes nga Moska, pohoi se e urrente të kaluarën e se ndjehej skllave e rrethanave të jashtëzakonshme, në të cilat ishte ndodhur familja e saj. Për të prerë çdo lidhje me të atin e padëshiruar, shkroi dy autobiografi, që patën sukses të madh, përveç dy librave të tjerë.
“Fatin nuk mund ta ndryshosh”, pati thënë dikur, “por më vjen keq që nëna ime nuk është martuar me një zdrukthtar”. Vajza e Stalinit e dogji pasaportën sovjetike, denoncoi komunizmin dhe babain e saj, të cilin e quajti “përbindësh”. Përveçse denoncoi regjimin e Stalinit, ajo fajësoi edhe liderët e tjerë për dërgimin e miliona punëtorëve në kampet e internimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.