2011-11-29 16:19:20

Polarizimi shoqëror në Shqipëri theksohet më tej


Ndryshimi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri thellohet më tej: ky është lajmi, që na tërhoqi vëmendjen sot në shtypin shqiptar. Nga njëra anë, numri i familjeve në vështirësi rritet, por nga ana tjetër, importohen më shumë mallra lluksi. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, deri në gusht të këtij viti, Shqipëria ka importuar 6 ton gëzofë, 113 ton gurë dhe metale të çmuara, perla, bizhuteri, etj., sasi, dukshëm më të mëdha se vitet e kaluara. Natyrisht, ato kanë si blerës, njerëz me gjendje financiare gjithnjë e më të mirë, por të tjerët, ata që e mbyllin muajin me paratë e pagës apo të pensionit, ose me ato, që u dërgojnë bijtë emigrantë, as që mund t’u afrohen.
Të shkojmë më tej. Në raportin e saj vjetor, Agjencia e Sigurimit të Depozitave vë në dukje se 55% e parave të depozitave bankare zotërohen vetëm nga 4% e depozituesve. Ndërkaq, treguesit e Ministrisë së Punës nxjerrin në pah se gjatë vitit 2011, 7000 familje të tjera kanë kërkuar ndihmë ekonomike nga shteti. Në të gjithë vendin, u jepet asistencë 104 mijë familjeve, numër ky, që rritet vazhdimisht gjatë viteve. Nëse, sipas INSTAT-it, llogarisim se çdo familje ka 4.5 anëtarë, del se numri i të varfërve në Shqipëri, vetëm gjatë këtij viti, është shtuar me 31.500 vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.