2011-11-29 16:18:32

Në dhjetor, Papa kërkon të lutemi për mbrojtjen e dinjitetit të fëmijëve, lajmëtarë të vërtetë të Ungjillit


Ndjeti misionar i lutjes së Papës për muajin dhjetor vë fëmijët në qendër të vëmendjes së besimtarëve të krishterë. “Të lutemi – thotë Benedikti XVI – që fëmijët e të rinjtë të jenë lajmëtarë të Ungjillit e që dinjiteti i tyre të respektohet e të mbrohet nga çdo dhunë e shfrytëzim”. Në Kohën e Ardhjes, që na parapërgatit për lindjen e Jezu Krishtit, Foshnjës Hyjnore, Ati i Shenjtë na fton pra, të lutemi për fëmijët, dinjiteti i të cilëve, fatkeqësisht, dhunohet shpesh nga të rriturit. Të dëgjojmë atë Xhulio Albanezen, drejtor i revistave të Veprave Papnore Misionare, ndër të cilat edhe ajo e Veprës së Fëmijërisë Misionare, me titull “Ura e artë”:
Po ta mendojmë mirë, shpallja dhe dëshmia e Ungjillit ishin qendra e temës së Ditës Misionare Botërore, që kremtuam në tetor: “Dëshmitarë të Zotit”. Ky propozim u bëhet edhe një herë të rinjve nga Ati i Shenjtë, nëse jo për tjetër, për faktin se ata përfaqësojnë të ardhmen. Është e kotë ta fshehim: nëse duam një botë më të mirë, një botë të ndryshme nga kjo e sotmja, duhet të investojmë energji për ta. Për këtë arsye, duhet respektuar sidomos dinjiteti i tyre, fillimisht, përmes impenjimit të agjencive edukative, që janë familja, shkolla, por edhe bashkësia e krishterë e degëzimet e saj të shumta.
Ju punoni edhe për Veprën Papnore të Fëmijërisë Misionare. Ç’do të thotë, sipas jush, që fëmijët të bëhen dëshmitarë të dashurisë së krishterë…
Vepra Papnore për Fëmijërinë ka lindur me synime të tipit edukativ: të ndihmojë të rinjtë të eksperimentojnë pasionin për misionin, për impenjimin. Kjo do të thotë edhe të ndërgjegjësohemi për faktin se fëmijët kanë nevojë për stimuj, për modele referimi, për shoqërim. Në fund të fundit, kush propozohet si edukator i tyre nuk duhet t’i shohë si “objekte”, por si “subjekte”, protagonistë të vërtetë.
Çfarë ju kanë mësuar fëmijët e Afrikës?
Buzëqeshja është ajo, që të bën më shumë përshtypje. Janë fëmijë, që shpesh lindin në situata të vështira e natyrisht, nuk janë aspak të llastuar, nuk e kanë provuar konsumizmin… Në këtë kuptim, mendoj se dëshmia e tyre e jetës e sidomos, lidhja me kontekstin familjar, është për t’u marrë si shembull nga e ashtuquajtura “botë e parë”, botë e industrializuar, që në këtë çast të historisë, duket vërtet në vështirësi të jashtëzakonshme, në krizë sistemi. Dëshmia, që vjen nga këta fëmijë, është afirmimi i thjeshtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.