2011-11-29 18:17:12

Kostumet tradicionale kosovare në ekspozitë fotografike në Durrës


Kostume tradicionale popullore të trevave të Kosovës janë paraqitur këto ditë në Klubin e Artit dhe Kulturës, përmes ekspozitës së përgatitur nga fotografi Shkëlzen Rexha dhe etnografja Borë Balaj.
Në 50 fotot e eskpozuara, autorët kanë përzgjedhur foto të kostumeve nga të gjitha trevat e Kosovës, por edhe nga ato të Shqipërisë. Sipas fotografit nga Gjakova, Shkëlzen Rexha, fotografitë janë pjesë e katalogut me 170 foto, që u botua dy vjet më parë në Kosovë dhe që janë paraqitur edhe në ekspozitat e hapura në qytete të Zvicrës, Maqedonisë, Austrisë dhe Gjarmanisë
Rexha, i cili që nga viti 1999 ka promovuar 16 ekspozita personale fotografike, shtoi se kjo ekspozitë është hapur më parë edhe në qytetet e Korçës, Pogradecit e Fierit si dhe në qytezën arkeologjike të Apolonisë. Etnografja Borë Balaj, e cila është kujdesur për grumbullimin e veshjeve të hershme, tha se modelet që kanë pozuar me veshjet tradicionale vijnë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.
"Ne kemi hulumtuar veshje të cilat kanë një moshë 150-200 vjeçare dhe përbëjnë vlera të veçanta për larminë e traditës dhe të kulturës sonë kombëtare", tha Balaj, sipas të cilës, kjo ekspozitë është një tjetër provë e kulturës materiale të përbashkët të hapësirave tona.
Ekspozita me foto të veshjeve tradicionale është mirëpritur nga vizitorët durrsakë dhe do të qëndrojë e hapur deri në fund të kësaj jave.







All the contents on this site are copyrighted ©.