2011-11-29 18:21:58

KFOR-i: i papranueshëm përdorimi i dhunës kundër trupave ndërkombëtare


Përdorimi i dhunës kundër trupave të KFOR-it është i papranueshëm, theksohet në një deklaratë të Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, rreth incidenteve të djeshme në Kosovë, ku ju bëhet thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe bashkëpunojnë plotësisht me të gjithë aktorët ndërkombëtarë në terren për të siguruar liri të lëvizjes pa vonesë.
Përmes kësaj deklarate kujtohet se Misioni i KFOR-it është të kontribuojë në mirëmbajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt, lirisë së lëvizjes dhe sigurisë në Kosovë nën Rezolutën e KS të OKB-së 1244.
Gjithashtu, vlerësohet se KFOR-i është duke e përmbushur këtë mision në mënyrë të kujdesshme, të drejtë
dhe të paanshme.
"NATO-ja ka thënë vazhdimisht se ne e përkrahim plotësisht Komandantin e KFOR-it në përmbushjen e atij mandati. Misioni i KFOR-it është të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, i cili përfshin lirinë e lëvizjes në përputhshmëri me mandatin e tij. Brenda kësaj kornize, KFOR-i vendos pika kontrolli nëpër tërë Kosovën", theksohet në deklaratë.
Më tej shtohet se dje, në pajtueshmëri me mandatin e vet, KFOR-i ka ndërmarrë operacione për liri të
lëvizjes në komunën e Zubin Potokut. Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga "elemente kriminale" të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë.
Si rezultat i kësaj janë lënduar disa ushtarë. KFOR-i i'u është përgjigjur këtyre akteve kriminale me
mjete jo-vdekjeprurëse (cisterna me ujë, plumba gome dhe gaz lotsjellës).
"Njerëzit të cilët i shkaktojnë dëm ushtarëve të KFOR-it nuk janë demonstrues paqësorë ose që punojnë për të ofruar zgjidhje të mira. Këto akte kriminale dhe çdo veprim i cili e kërcënon ambientin e qetë dhe të sigurt është i papranueshëm", theksohet në deklaratë.
Më tej, thuhet se NATO-ja do të ndërmarrë masa të duhura për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e
Kosovës.
"KFOR-i rezervon të drejtën për ta mbrojtur vetveten kundër të gjitha veprimeve agresive dhe ne vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të ligjshme dhe brenda mandatit tonë të ligjshëm. Roli ynë është në përkrahje të EULEX-it dhe përpjekjeve të tij për të siguruar funksionimin e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën në të mirë të të gjithë qytetarëve", thuhet në deklaratë.
Më tej, shtohet se izolimi i popullatës nëpërmjet bllokadave të rrugëve pengon shërbimet kryesore
publike, siç janë ambulancat, zjarrfikësit dhe furnizimet me medikamente.
Duke mos i hequr bllokadat rrugore, njerëzit janë duke bllokuar prosperitetin e vet, janë duke vendosur embargo për popullin e vet dhe janë duke e penguar lëvizjen e të mirave.
"Ne inkurajojmë të gjithë liderët dhe komunitetet në Kosovë të vazhdojnë të promovojnë stabilitet dhe dialog, pasi askush nuk përfiton nga një rikthim i tensioneve nga e kaluara", përfundon deklarata.







All the contents on this site are copyrighted ©.