2011-11-26 15:39:44

U hap në Vatikan, ekspozita mbi arkitektin Gaudì dhe mbi Bazilikën e Sagrada Familia-s


Një ekspozitë, kushtuar “arkitektit të Zotit”, për ta falenderuar Papën për vizitën dhe aktin solemn, të kryesuar prej tij, vitin e kaluar. Ky është synimi i ekspozitës “Gaudì dhe Sagrada Familia e Barcelonës: arti, shkenca dhe përshpirtëria”, e cila u hap të enjten në Krahun e Karlit të Madh në Vatikan. Mund të vizitohet deri më 15 janar 2012. Me organizimin e saj janë marrë dy institucione të kryedioqezës së Barcelonës, të mbështetura nga Këshilli Papnor për Kulturën.
Gjatë paraqitjes së ekspozitës në Sallën e Shtypit të Vatikanit, një grup i madh nga qyteti katalan, i kryesuar nga kryeipeshkvi, kardinal Lluìs Martinez Sistach dhe kreu i dikasterit për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi treguan shumë anekdota për Antoni Gaudinë. Në njërën prej tyre, para ngadalësisë me të cilën guljet e kishës ngriheshin drejt qiellit, e dekorimet mbushnin muret e gurta, Gaudì përsëriste shpesh: “Klienti im nuk ngutet”. Pasioni i madh i artistit, por edhe i besimtarit të devotshëm, që e di se Zoti pret prej tij diçka të bukur e jo diçka të përfunduar shpejt. E pikërisht kjo shkrirje e mrekullueshme ndërmjet artit, shkencës dhe përshpirtërisë e bën arkitektin spanjoll gati të paimitueshëm dhe e shndërron Sagrada Familie-n në ikonë të artit kishtar, para së cilës mbeti i mahnitur edhe Papa Benedikti XVI, në vizitën e 7 nëntorit të vitit të kaluar, kur e ngriti këtë tempull në rangun e Bazilikës minore. Ajo, theksoi gjatë konferencës për shtyp, kardinali Sistach:

“…vë në dukje realitetin e një tempulli të mrekullueshëm për nga bukuria, madhështia dhe simbologjia, në qendër të një metropoli të madh si Barcelona. Siç tha Benedikti XVI në Barcelonë, kjo Bazilikë është shenjë e dukshme e Zotit të padukshëm, shumë e nevojshme në shoqëritë tona perëndimore evropiane, me nivel të theksuar kulturor laicist e me indiferencë fetare”.

Sipas arkitektit Daniel Giralt-Miracle, komisar i ekspozitës, Sagrada Familia nuk është më vetëm një tempull, apo vetëm një vepër arkitektonike, por një vepër, që tregon Hyjin e vërtetë, në shekullin XXI:

“Këtë përpiqemi t’u shpjegojmë vizitorëve të Sagrada Families; këtë shpjegojmë me këtë ekspozitë në tri pjesë: është një udhëtim përmes arkitekturës, nga jashtë brenda. Qëllimi është të kapim praninë e Gaudì-së dhe të kuptojmë se këto nuk janë vetëm gurë, por se brenda Sagrada Familias ka një shpirt”.

Aftësia e arkitektit të madh për t’i dhënë forma të tilla artistike fesë së vet – tha në fund kardinal Ravazi, duke kujtuar se për Gaudì-në vazhdon procesi i lumnimit – është diçka që ta sjell mendjen rrotull:

“Kjo marrje mendsh është fizike, para së gjithash: ke përshtypjen se je përpara diçkaje, që sfidon ligjet e natyrës, diçkaje absolutisht monumentale, por njëkohësisht, edhe diçkaje që rri pezull. Kjo bën të mundur lidhjen e kësaj përshtypjeje psikologjike, shpirtërore, marramendëse me ngjitjen drejt misterit, drejt transhendencës”.

Tre milion vetë vizitojnë çdo vit Sagrada Familen e gjeniut të arkitekturës Gaudì. Kjo bën të mundur që ndërtimi i bazilikës, filluar në vitin 1882, të vazhdojë deri në fund. Po kur do të përfundojë? Ja përgjigjja e kardinalit Sistach, që kujtoi “profecinë” e arkitektit, sipas të cilit, për përfundimin e bazilikës do të kujdeset Shën Jozefi:

“Profecia është plotësuar në atë, që mund t’i referohet përfundimit të navatave të brendshme, sepse ia ka kushtuar kultit një Papë, emri i pagëzimit të të cilit, është Jozef. Po ndërtimet e jashtme? Mungojnë dhjetë kulla, kapela e të Shenjtnueshmit Sakrament, e Batisterit dhe e Zojës, dy sakresti dhe kiostri. E kam përsëritur shpesh se do të dëshiroja që gjithçka të përfundonte në vitin 2026, në 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudì-së. Kur do të lumnohet ai? Dëshira ime është sa më parë të jetë e mundur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.