2011-11-26 15:40:38

Shenjtorët e javës së ardhshme


27 nëntor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipa kalendarit liturgjik. Nis përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.
Gjithnjë më 27 nëntor kalendari përkujton shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut.
Liturgjia e kësaj së diele na kujton se Jezusi, për tri herë, i përsërit secilit thirrjen “Rrini zgjuar”, si një këshillë, si një urdhër, por edhe si paralajmërim i një ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e vet, që të jenë të kujdesshëm e të mos dorëzohen para lodhjes, vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe, që kalon shpejt.

Të hënën më 28 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan. Në Ungjillin e ditës, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Të martën, më 29 nëntor, bie përkujtimi i shën Saturninit martir, i shën Frederikut e i të Lumit Dioniz të Lindjes së Krishtit. Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon.

Të mërkurën e ardhshme, më 30 nëntor, do të kremtohet festa e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, ai është i pari i thirrur, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të enjten që vjen, më 1 dhjetor, do të kremtohet festa e shën Eligjit, ipeshkëv i Lionit dhe e shën Naumit, profet, që na kujtojnë se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të premten më 2 dhjetor, do të përkujtohen shën Bibiana, matronë romake, shën Pimeni, martir e shën Silvestri, papë. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmistit drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”.

Të shtunën që vjen, më 3 dhjetor, bie festa e shën Françesk Saverit, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Ai na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!

Të dielën e ardhshme, më 4 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e dytë të Ardhjes, po atë ditë, kalendari përkujton edhe shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e shën Barbarën, martire, që na ftojnë jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i zbatojmë në gjestet e jetës së përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.