2011-11-26 15:37:19

Liturgjia e Fjalës së Zotit në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, viti "B"


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së Parë të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Me këtë të diele të I të Ardhjes, ne fillojmë një Vit të Ri Kishtar, gjatë të cilit, përmes Liturgjisë së Fjalës Hyjnore e, gjatë ciklit të dytë posaçërisht nën udhëheqjen e Shën Markut Ungjilltar, do të njihemi çdo ditë, çdo të diele, çdo të kremte liturgjike me jetën, veprën e porosinë e Zotit tonë Jezu Krisht, Shpëtimtarit të mbarë njerëzimit.
Pra, me këtë diele të parë të kohës kishtare të quajtur të Ardhjes, fillojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, për pritjen e Zotit që i përshkon udhët tona njerëzore dhe vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë duke kërkuar një zemër të gatshme për të banuar, për t’u mishëruar e për të realizuar veprën e shëlbimit. Krishtlindja do të thotë pikërisht Mishërim i Zotit Jezu Krisht në natyrën tonë njerëzore e në jetën tonë personale.
Krishtlindja, është dëshmim i faktit se Zoti e ka përqafuar natyrën tonë njerëzore, se Zoti me dashuri ka marrë mbi vete të gjitha të dobësitë tona njerëzore, të gjitha kufizimet, vështirësitë, mëkatet tona, të gjitha atë të këqija pikërisht për të na liruar nga ky robërim vdekjeprurës shpirtëror e njerëzor.
Këtë Ai e ka realizuar përmes Dashurisë së Tij të pakufishme Hyjnore, të cilën e mishëroi dhe e dëshmoi në Jezu Krishtin mbi Kryq dhe me Ngjalljen e Tij, do të thotë me ngadhënjimin e Tij përfundimtar mbi të këqijat, mbi vdekjen e mbi djallin e mallkuar.
Po kujtojmë se Liturgjia e Fjalës së Zotit gjatë katër të dielave të kohës së Ardhjes që paraprijnë dhe përgatisin festën e Krishtlindjes, kemi disa personazhe apo figura madhore biblike që na ndihmojnë e na udhëheqin në udhën tonë shpirtërore drejt Shpellës së Betlehemit për të gjetur e përqafuar Zotin e Mishëruar për dashuri, e këta janë: Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari, Izaia profet dhe Gjon Pagëzuesi.
Liturgjia e kësaj së diele të parë të Ardhjes na thërret ta presim Krishtin të zgjuar, të gatshëm e të aftë për ti njohur e kuptuar shenjat e pranisë së tij hyjnore mes nesh. Duhet të jemi të përgatitur, kurdoherë të gatshëm sepse Zoti vjen atëherë kur nuk e mendojmë dhe nuk e presim, pra, vjen papritmas, kështu është mirë për ne, që kur të vijë në jetën tonë të na gjejë zgjuar e të përgatitur për ta pranuar në zemrat tona. Koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje por është edhe kohë e volitshme për t’ia kushtuar dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe mbledhjes e bashkimit tonë përreth saj, sepse Fjala e Zotit është dritë për hapat tanë në jetën e përditshme.
LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare(Is 63, 16-17; 64, 1-7)
Profeti Isaia i drejtohet Hyjit me emrin –Atë- që është qendra e besimt tonë, sepse kështu Hyji u zbulua në Krishtin Jezus që ne e presim në Krishtlindje si vëllain tonë të bërë njeri si ne. Për këtë Hyji thërret secilin prej nesh të bëhet Bir në një besëlidhje dashurie. Ai na siguron mbë-shtetjen e tij, ndërsa ne duhet të kemi besim në të , ta duam dhe t’i shërbejmë.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Sepse ti, o Zot, je Ati ynë! Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi; por ti, o Zot, je Ati ynë, shpëtimtari ynë: i amshueshëm është emri yt. Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua, pse na e ngurove zemrën që të mos të druam? Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu, për dashuri të fiseve të pronës sate! U bëmë tash një kohë të gjatë si ata, të cilët ti nuk sundon, asish, mbi të cilët s’u thirr emri yt.
Ah, sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje, para fytyrës sate malet do të dridheshin, sikurse zjarri që i djeg krandet, dhe ujin e bën të vlojë – që armiqtë e tu t’i bësh ta njohin emrin tënd. Para fytyrës sate paganët do të dridhen kur të besh mrekulli që ne nuk i shpresonim. Ti zbrite e para fytyrës sate malet u dridhën! Qysh se ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, se një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastri, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era. S’është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë. Megjithatë, Ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua.
Fjala e Zotit

Psalmi 80 (79)
Ref: Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto.
_____________
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
_____________
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate,
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
_____________
Leximi i dytë (1 Kor 1, 3-9)
Të krishterët kanë marrë nga Hyji dhuratën e Krishti, kanë mësuar Ungjillin e tij, dhe tani njohin mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit. Këto dhurata rriten nga dita në ditë deri në shfaqjen e plotë të Zotit në ne. Ardhja na fton për një shpresë bashkimi të përkryer me Krishtin, të themeluar mbi përvojën e pranisë së tij që qysh tani ndriçon jetën tonë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që jua dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka – në çdo dije. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në ditën e Zotit tonë Jezusit. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde,
dhe na e jep shëlbimin tënd.
Aleluja.
V Ungjilli (Mk 13, 33-37)

Vigjiloni: është urdhëri i Zotit. Vigjilimi nuk është pritja e një të ardhmjeje të largët, por mikpritja e një të tashmjeje të gjallë: mbretëria e Hyjit është tashmë këtu. Të vigjilosh do të thotë të lexosh të tashmen dhe të zbulosh amshimin. Nuk jemi kurrë mjaft zgjuar dhe të aftë për të pranuar Hyjin që gjendet shpesh aty ku ne me mençurinë tonë të varfër nuk e kishim parashikuar.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes – që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur.
Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!”
Fjala e Zotit
E dëgjues të nderuar, ju ftoj tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të kësaj së diele, të cilat janë si Letër që Zoti i dërgon secilit prej nesh për të përshëndetur dhe treguar dashurinë e tij që ka ndaj nesh dhe për të komunikuar personalisht me ne........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.