2011-11-26 15:38:32

Dy konferenca e dy dëshmi në Vatikan


Në Vatikan përfunduan dy konferenca të rëndësishme, ajo e Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë dhe ajo e Këshillit Papnor për Laikët. Të dyja filluan të enjten e kaluar.
E para, mblodhi në Romë veprimtarë të shëndetësisë nga e gjithë bota, të cilët, për tri ditë, reflektuan mbi temën: “Baritoria e shëndetit në shërbim të jetës, në dritën e magjisterit të të Lumit Gjon Pali II”. Kujtojmë se Papa Vojtila, sidomos në vitet e fundit të jetës, u bë simbol i mënyrës së përballimit të sëmundjes nga besimtari i krishterë, simbol i “teologjisë së vuajtjes”, duke u treguar njerëzve, me shembullin e vet, ç’do të thotë ta pranosh vuajtjen dhe t’ia kushtosh atë Zotit. Përveç kujtimit të Gjon Palit II, konferenca u ndal edhe në një reflektim të Papës Benedikti XVI, marrë nga enciklika e tij “Spe Salvi”: “Masa e humanitetit përcaktohet në thelb, nga marrëdhëniet me vuajtjen e me të vuajturit”. Në takimin e punonjësve të shëndetësisë nga mbarë bota, nuk munguan dëshmitë për impenjimin e Kishës Katolike në këtë fushë, gjithnjë në vijën e parë të frontit në shërbim të të sëmurëve, me qendrat dhe institucionet e saj, të përhapura kudo.
Në takimin e dytë, asambleja e përgjithshme e Këshillit Papnor për Laikët reflektoi mbi temën “Çështja e Zotit sot”. Kryetari i dikasterit, kardinali Stanislau Rilko kujtoi fjalët e Atit të Shenjtë gjatë udhëtimit në Brazil, në vitin 2007: “kush e përjashton Zotin nga horizonti i jetës së vet, e fallsifikon konceptin e ‘realitetit’ e, si pasojë, mund të përfundojë vetëm në rrugë të gabuara, shkatërrimtare”. Asambleja u pasurua edhe me dëshmitë e shumë laikëve. Të dëgjojmë Anne Moens, nënë e shtatë fëmijëve:
“Kam dëshirë të jem dëshmitare e dashurisë së Zotit për mua, e dashurisë së Zotit për të tjerët e dua ta jetoj këtë dashuri. Edhe fakti që jetoj për Zotin më ka ndihmuar të jem më kërkuese ndaj fëmijëve, për t’i rritur si duhet. Është Zoti, që më ka dhënë kaq shumë fëmijë. Ka qenë gëzim i madh për ne, megjithëse shtatë fëmijë duan punë. Por Zoti ishte me ne”.
Ja edhe dëshmia e një pedagogu të astrofizikës, Marko Bersaneli, i pranishëm në asamble:
“Përvoja ime tregon se takimi me krishterimin e bën gjithçka më të bukur, më të vërtetë. Ne merremi me gjithësinë e përpiqemi t’i kuptojmë sekretet e kësaj bukurie, të këtij rendi. Mallëngjehem sa herë bëhem i vetëdijshëm për thellësinë me të cilën çdo gjë është menduar dhe mendohet nga Hyji i Gjithpushtetshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.