2011-11-26 15:37:52

Atë Federiko Lombardi: “Dy portat e Afrikës”


Nga 18 deri më 20 nëntor, Papa Benedikti XVI ishte për vizitë apostolike në Benin, ku u la afrikanëve Nxitjen apostolike pas sinodale “Africae munus”. Shumë është folur për këtë dokument, i cili ka si meritë, sidomos nxjerrjen në pah të aftësive të vetë kontinentit për zgjidhjen e problemeve. Madje, në të theksohet se Afrika, me përshpirtërinë e saj, mund t’i mësojë shumë botës. Ky është argumenti, që trajton në editorialin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Menjëherë para nënshkrimit të Nxitjes apostolike “Impenjimi i Afrikës” në katedralen e Ouidahut, Papa iu referua “dy portave”, që ndodhen në plazhin e afërt të bregut atlantik. “Kisha në Afrikë – tha Benedikti XVI – duhet të promovojë paqen dhe drejtësinë. “Porta e moskthimit mbrapa” dhe ajo e “shpëtimit” na e kujtojnë këtë detyrë e na nxisin të denoncojmë e të luftojmë çdo formë skllavërie”.
“Porta e moskthimit” ishte ajo, nën të cilën kalonin skllevërit para se të hipnin në anijet e tregtisë së negërve dhe përcaktonte humbjen përfundimtare të dinjitetit të tyre njerëzor. “Porta e shpëtimit” është ajo, që u ndërtua më vonë nga katolikët, pikërisht pranë së parës, për të kujtuar se në të njëjtin breg, patën ardhur edhe lajmëtarët e Ungjillit të shëlbimit, i cili, prej andej, u përhap në të gjithë Afrikën perëndimore. Faqja e errët e historisë së kontinentit dhe faqja e ndritshme. E keqja më e përshtirë dhe shpresa.
Analistë, që nuk dallohen se mbajnë anën e Kishës Katolike, thanë se nuk ekziston sot një dokument më i plotë e më i qartë mbi situatën e mbi problemet e kontinentit, sa Nxitja apostolike. Një dokument, që të bën përshtypje për realizmin dhe për respektimin e dinjitetit të popujve afrikanë. Një dokument, që lind nga reflektimi i pastër afrikan, por i integruar në perspektivën çlirimtare të shpalljes së krishterë të shpëtimit, i aftë të mbetet universal dhe të bëhet vërtet afrikan, duke hapur horizontin e impenjimeve për të ardhmen. Një mik gazetar evropian më thoshte i mallëngjyer: këtu në Benin ndjeva se si katolik, i përkas vërtet një bashkësie universale. Papa – si përfaqësues i Krishtit – është kreu shpirtëror i afrikanëve, jo më pak se i evropianëve, dhe solli një shpresë të madhe. Mikpritja në Benin e tregoi qartë këtë. Ndoshta, kjo do të meritonte edhe reflektimin nga ana e perëndimorëve. Jo më kot, Papa e sheh Afrikën si “mushkërinë shpirtërore” të njerëzimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.