2011-11-25 18:12:05

Papa laikëve të krishterë: për të ndikuar mbi jetën publike, duhet të kesh fe të fortë personale.


Duhet ta çojmë përsëri çështjen e Zotit edhe në gjirin e Kishës, në mënyrë që dëshmia e shekullarëve në jetën publike të jetë energjike, të lërë gjurmë e të mos harrohet lehtë. Këtë ftesë u drejtoi Benedikti XVI pjesëmarrësve në mbledhjen e 25-të plenare të laikëve, e cila vijon në Vatikan. Duke i pritur sot paradite në audiencë, Papa u kujtoi edhe guximin e pakicave të persekutuara fetare në Azi e në Afrikë. Prej këndej, e vlerësoi lart impenjimin e dikasterit për Laikët, që ka planifikuar, për vitin e ardhshëm, një Kongres kushtuar rolit të shekullarëve në Afrikë.RealAudioMP3

Për ta takuar Zotin duhet, më parë, të takojmë dikë, që e ka takuar Atë. E fshehta e fesë qëndron pikërisht në këtë takim të dyfishtë. Nuk është gjithaq çështje, që lidhet me faktorët e jashtëm, gjeografikë a kulturor. Me që kujtuam fjalën gjeografi, mund të themi simbolikisht se ka të bëjë me gjeografinë e shpirtit, vendin ku njeriu takohet me Krishtin. E laikëve të krishterë u takon një përgjegjësi tepër të madhe: të krijojnë kushtet e nevojshme për këtë takim, që mund të shkaktojë kthesa vendimtare në jetën shoqërore. Benedikti XVI ia kujtoi këtë specialistëve të mbledhur nga Këshilli Papnor për Laikët në takimin e tyre vjetor, për të diskutuar mbi temën: “Çështja e Zotit sot”. Sigurisht, shpjegoi Ati i Shenjtë, në radhë të parë është çështja e Zotit në jetën publike. E kjo, sepse pikërisht tek largimi i vazhdueshëm nga Zoti, tejet i përhapur në shoqërinë e sotme, duhet të kërkojmë një nga shkaqet e krizës së vlerave, që i paraprin krizës ekonomike e shoqërore:
“Njeriut, që kërkon të jetojë vetëm pozitivistikisht, duke llogaritur e duke matur, në fund të fundit i merret fryma. Në këtë kuadër, çështja e Zotit, në një farë mënyre, është “çështja e çështjeve”. Ajo na shtyn përsëri tek pyetjet për fundin e njeriut, tek dëshira për të vërtetën, tek kërkimi i lumturisë dhe i lirisë. Të skalitura në zemrën njerëzore, këto dëshira kërkojnë të realizohen”.
Njeriu, që rizgjon në shpirt pyetje për Zotin, vijoi Papa, i hap rrugën shpresës, një shprese të pagabueshme, për të cilën ia vlen të lodhesh e të përballosh ecjen e mundimshme, të përditshme, me djersë e gjak, deri tek caku. Por, si është e mundur, nënvizoi Papa, të rizgjohet pyetja për Zotin, duke e pasur mirë parasysh se është pyetje themelore?
Pyetja për Zotin rizgjohet nga takimi me atë, që ka dhuratën e fesë; me atë, që ka lidhje jetike me Zotin. Hyji njihet përmes burrave e grave, që e njohin: rruga kah Ai kalon, në mënyrë konkrete, përmes atij që e ka takuar. Në këtë drejtim, roli juaj si besimtarë laikë, është shumë i rëndësishëm”.
E në se mjediset e ndryshme publike kanë nevojë të popullohen nga laikë të krishterë transparentë në bindjet e tyre, ekziston, shtoi Papa, edhe “Çështja e Zotit” brenda indit kishtar. Nganjëherë, vijoi, përpiqemi ta bëjmë më të fuqishëm ndikimin e të krishterëve në jetën shoqërore, në politikë e në ekonomi, pa u shqetësuar edhe për forcën e fesë së tyre, si të ishim të sigurtë se ata e kanë tashmë një fe të patundur. Në realitet, nënvizoi Benedikti XVI…:
“… të krishterët nuk banojnë në ndonjë Planet të largët, nuk janë të paprekshëm nga sëmundjet e botës. Përkundrazi: i jetojnë me fund trazirat, çorientimin, vështirësitë e kohës së tyre. Prandaj nuk është më pak urgjente ta ripropozojmë ‘Çështjen e Zotit’ edhe brenda indit kishtar. Shumë herë, njerëz që e quajnë veten të krishterë, nuk e venë Zotin në qendër të mendimit, të veprimit e të problemeve themelore të jetës së tyre. Prandaj përgjigjja e parë për sfidën e kohëve tona, mbetet rikthimi i vazhdueshëm i zemrave në rrugën e Zotit”.
E një shembull, që tregon ç’do të thotë të mbash qëndrim të patundur ungjillor, Benedikti XVI e dha në fillim të fjalimit, duke kujtuar guximin e atyre besimtarëve, që jetojnë, posaçërisht në Azi, në kushte shpesh herë dramatike. Në këtë Kontinent të pafundmë e të lashtë, tha Papa…:“… kumtimi i krishterë deri më sot ka arritur vetëm tek një pakicë e cila, gjithnjë më shpesh, e jeton fenë në kushte tejet të vështira, nganjëherë edhe në mes të një persekutimi të vërtetë. Këta vëllezër tanë e dëshmojnë në mënyrë të admirueshme bashkimin e tyre me Krishtin e, falë fesë së tyre, Kishës së mijëvjeçarit të tretë në Azi, po i hapen skena të pafundme ungjillëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.