Mes librave të bibliotekës personale të Atë Gjergj Fishtës, shkatërruar gjatë diktaturës
komuniste.
Tiranë, 24 nëntor 2011 – Në prag të festës së 28 Nëntorit dhe festimeve të 80 vjetorit
të krijimit të Bibliotekës "Marin Barleti", mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës
u çel ekspozita “Fishta mes dy Bibliotekave”, me librat e bibliotekës personale të
Atë Gjergj Fishtës, e shkatërruar gjatë diktaturës komuniste. Pjesë e kësaj ekspozite
janë të paktën 100 libra të Fishtës, të publikuara për herë të parë për qytetarët
e Shkodrës dhe jo vetëm. Drejtori i bibliotekës, Gjovalin Çuni, tregon se në ekspozitën
e hapur janë botimet që i përkasin viteve 1500. Institucioni që ai drejton, në bashkëpunim
edhe me strukturat vendore dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, po i kushton
një rëndësi të veçantë nxjerrjes në pah të vlerave dhe pasurive të mëdha të qytetit
verior, pjesë e së cilës është edhe hapja e kësaj ekspozite, kushtuar një emri të
madh, siç është ai i Atë Gjergj Fishtës. "Sot ekspozohen për herë të parë libra që
i përkasin Fishtës së madh, por që padrejtësisht u morën, u vulosën dhe u bënë pronë
e shtetit, e atij shteti që e shkatërroi. Për herë të parë, pas më shumë se gjysmë
shekulli, simbolikisht i kthehen të zotit. Jemi këtu për t’ia rikthyer Fishtës, të
paktën moralisht", tha Rezarta Draçini.
Pasuria librore e Fishtës ishte pjesë
e bibliotekës franceskane, e themeluar në vitin 1875, fillimisht me një fond të kufizuar
librash, për t'u bërë më pas një ndër më të pasurat me libra të rrallë dhe me autorë
të mëdhenj. "Dëshmitë tregojnë se Atë Gjergj Fishta dha kontribut të jashtëzakonshëm
në pasurimin e saj. Dhe për këtë besoj se ka ndikuar edukimi që Fishta mori në Bosnje,
në Kuvendet françeskane atje, në Kraljevo Sutjeska dhe në Livno, gjatë viteve 1888-1893,
pasi u njoh nga afër me biblioteka jashtëzakonsisht të pasura, të cilat administroheshin
nga kuvendet franceskane", vijoi Draçini. (ATSh)