2011-11-25 18:13:27

Mbledhja plenare e Familjes, në emër të të Lumit Vojtila. Kardinali Antoneli: familjet e krishtera duhet të jenë dëshmitare të besueshme të Ungjillit.


Familja, në plan të parë, sot paradite, në Sallën vatikanase të Shtypit, ku u paraqit mbledhja plenare e Këshillit Papnor për Familjen, që do të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetorin e ardhshëm, kur pjesëmarrësit do të priten nga Benedikti XVI. Ngjarje e veçantë kjo, po të kemi parasysh se përkon me 30-vjetorin e Nxitjes Apostolike të Gjon Palit II , ‘Familiaris Consortio’ dhe të themelimit të vetë dikasterit.RealAudioMP3
Me këtë rast u vu theksi edhe mbi Takimin VII Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano, nga 30 maji, deri më 3 qershorin e vitit 2012.
Në konferencën e shtypit, ndërmjet të tjerëve, foli edhe kryetari i Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Antoneli.

Do të fillojë me një gjunjëzim prekës pranë Varrit të Gjon Palit II, mbledhja plenare e dikasterit për Familjen, përqendruar tek “Familiaris consortio” e të Lumit Vojtila. Kardinali Antoneli vuri theksin mbi këtë dhuratë, që ‘Papa i familjeve’ i bëri mbarë Kishës. E, në dritën e këtij dokumenti, nënvizoi edhe detyrat e familjeve të krishtera, të cilat sot janë të thirrura ta dëshmojnë në mënyrë sa më bindëse, Ungjillin e Krishtit:
Duhet të bëhen një shenjë e madhe e besueshmërisë së Ungjillit, përmes shërbimit reciprok, lindjes së fëmijëve, edukimit dhe kujdesit plot përgjegjësi për ta, impenjimit shembullor në punë, vëmendjes për të varfërit e nevojtarët, lutjes në shtëpi, pjesëmarrjes në meshë e në veprimtaritë kishtare, impenjimit në shoqërinë civile”.
Hirësia e Tij pohoi edhe se Kisha nuk ka vizion negativ për seksualitetin, akuzë që e dëgjojmë tepër shpesh:
“Në të vërtetë, Kisha e fisnikëron seksualitetin, si dashuri e si eros, si dëshirë e si lumturi; e larton, sepse përfshin në të dashurinë, parë si dhuratë e vetvetes e si bashkim, që është pasqyrim i vetë jetës së Zotit dhe përshpejtim i dasmës së amshuar me Hyjin”.
Por, duke folur me gazetarët, kardinali Antoneli, theksoi edhe rrezikun e lirisë e të barazisë seksuale pa cak, që nuk sjellin asgjë të mirë. Aq më tepër, kur bëhen juridikisht të ligjshme e paraqiten si modele të reja të famijes, shumë larg asaj tradicionale, që krijojet mbi bazën e bashkimit të një burri me një grua, bashkim i pazgjidhshëm e i pandashëm:
“Është e vërtetë se panorama është tronditëse. Do të thosha se në të sundon posaçërisht miti i lirisë dhe i barazisë; të absolutizuar kështu, bëhen dy mite shkatërrimtare… E, fshehur pas këtyre dy fjalëve, sot kalojnë shumë të ashtuquajtura të drejta e edhe më shumë sjellje, që çojnë në rrugë të shtrembëra”.Por Kardinali Antoneli theksoi edhe anët pozitive në jetën e familjeve, foli për shumë drita, që ndriçojnë vatrat e mbarë botës, falë zhvillimit të mëtejshëm të punës baritore, të veprimtarisë së lëvizjeve kishtare dhe impenjimit të dioqezave e edhe vetë familjeve të krishtera. Solli si shembull sidomos 7-8 familjet, për të cilat është në përfundim e sipër çështja e lumnimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.