2011-11-25 18:13:40

Koncert në Vatikan për të ndihmuar të sëmurët me Sidë, tuberkuloz e malarie.


Këshilli Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë organizoi sot pasdite, në Vatikan, një koncert bamirësie kushtuar Benediktit XVI me titull: “Kryqi, Mëshira, Lavdia”, për të përkujtuar figurën e ndritur të Gjon Palit II.
Koncerti, që filloi në orën 18.00, në Sallën e Palit VI në Vatikan, kishte në program muzikë klasike, ekzekutuar nga Orkestra Filarmonike e Romës dhe Kori polifonik “The Karol Singers”, së bashku me Korin polifonik dhe Orkestrën Simfonike të qytetit rus, Penxa.
Paratë, që do të mblidhen, do t’i dorëzohen Fondacionit “Samaritani i mirë”, themeluar në vitin 2004 nga Papa Vojtila për të ndihmuar viktimat e pandemive e të infektimeve, që shkaktojnë vdekjen e miliona njerëzve, për shkak të mungesës së ilaçeve të nevojshme e të strukturave shëndetësore bazë. Është fjala kryesisht për disa sëmundje, si Sida, tuberkulozi e malaria, mjekimi i të cilave mund ta zgjasë deri në 20 vjet jetën e të sëmurëve.
Kjo veprimtari artistike u organizua në kuadrin e konferencës ndërkombëtare, mbledhur nga Këshilli Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që përfundon nesër. Punimet e konferencës patën në qendër të vëmendjes kujdesin për shëndetin e njeriut, duke u përqendruar tek sëmundjet e larpërmendura.








All the contents on this site are copyrighted ©.