2011-11-24 15:47:54

Papa, Karitasit Italian, në 40-vjetorin e themelimit: kriza ekonomike kërkon guxim e vëllazërim


Kemi nevojë për njerëz me zemër të madhe, sidomos në kohë krizash: kështu foli sot paradite Benedikti XVI, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e takimit të Karitasit Italian, që kremton 40-vjetorin e themelimit. Papa nënvizoi rëndësinë e Karitaseve dioqezane, që e bëjnë të dukshme dashurinë e Zotit e të Kishës për nevojtarët. Para takimit me Atin e Shenjtë, gjithnjë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e 12 mijë besimtarëve, u kremtua një Meshë e kryesuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Angjelo Banjasko.
Qofshi “lajmëtarë” të Ungjillit, shenjë e dashurisë së Zotit për nevojtarët, u tha Benedikti XVI veprimtarëve të Karitasit, ardhur në Romë, nga e gjithë Italia. Papa përmendi Enciklikën e tij shoqërore “Deus Caritas Est”, për të theksuar se puna e organizatës bamirëse nuk është vetëm t’u japë bukë të uriturve, por sidomos të shohë shkaqet, në bazë të urisë. Kjo vlen edhe për botën e emigracionit:
“Kriza ekonomike globale është shenjë tjetër e kohërave, që kërkon guximin e vëllazërimit. Ndryshimet ndërmjet veriut e jugut të botës dhe cënimi i dinjitetit njerëzor të shumë personave, bëjnë thirrje për një lloj bamirësie, që di të shtrihet si rrathët bashkëqendrorë, nga sistemet e vogla ekonomike në ato të mëdhatë”.
Problemet në rritje, vazhdoi Papa, dobësimi i familjeve, pasiguria e së ardhmes për të rinjtë, janë elemente, që çojnë drejt pakësimit të shpresës. Pikërisht këtë duhet të luftojë Karitasi:
“Njerëzimi nuk ka nevojë vetëm për bamirës, por edhe për njerëz të përvuajtur e konkretë, që, si Jezusi, të dinë t’u qëndrojnë përkrah vëllezërve, duke ndarë lodhjen me ta. Me një fjalë, njerëzimi kërkon shenja shprese. Burimi ynë i shpresës është Zoti”.
Benedikti XVI vuri theksin mbi “detyrën edukative” të Kishës dhe të Karitasit në veçanti. E i inkurajoi veprimtarët e Karitasit t’u qëndrojnë afër atyre, që kanë nevojë ta dëgjojnë ngrohtësinë e Hyjit, përmes duarve mirëbërëse të dishepujve të Krishtit. Kjo detyrë bëhet edhe më urgjente në kohën e sotme:
“Individualizmi i ditëve tona, mendësia, sipas së cilës, mjafton teknika, relativizmi që ndikon mbi të gjithë, na kërkojnë t’i provokojmë njerëzit dhe bashkësitë, duke i shtyrë drejt formave të larta të dëgjimit, drejt hapjes së zemrës për nevojat e për burimet, drejt formave komunitare të gjetjes së mënyrës për të jetuar dhe për t’u konfrontuar me një botë, që po ndryshon thellësisht”.
Duhet të marrim përsipër përgjegjësinë për t’i edukuar të tjerët me jetën e mirë të Ungjillit, nënvizoi Ati i Shenjtë, e cila është e tillë, vetëm nëse përmban vazhdimisht dëshminë e bamirësisë e të dashurisë:
“Secili prej jush është i thirrur të japë kontributin e vet, që dashuria me të cilën Zoti na ka dashur e na do gjithmonë, të kthehet në veprimtari jetësore, në forcë shërbimi, në përgjegjësi të vetëdijshme”.
Papa sqaroi se shërbimi i përvuajtur e konkret, që ofron Kisha, nuk mund e nuk duhet të zëvendësojë veprimtarinë shoqërore, që lind nga ndërgjegjja kolektive e civile. Kisha punon përkrah shoqërisë me sinqeritet, me autonomi e me vetëdijen se nuk është e nevojshme të ndërhyjë, aty ku njerëzit i zgjidhin vetë problemet. Benedikti XVI e përfundoi fjalën e vet, duke i nxitur veprimtarët e Karitasit të jenë shenjë e “dashurisë së Krishtit, shenjë, që sjell shpresë”:
"Jetojeni dhurimin pa interes e ndihmojeni të jetojë. Tërhiqini të gjithë drejt thelbit të dashurisë, që bëhet shërbim. Shoqërojini vëllezërit më të brishtë. Jepuni shpirt bashkësive të krishtera. Thuajini botës fjalët e dashurisë, që vijnë nga Zoti. Kërkojeni bamirësinë si sintezën e të gjitha karizmave të Shpirtit Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.