Duke shfletuar kalendarin e 23 nëntorit, përkujtojmë papët Shën Klementi I romak dhe
Klementi XI shqiptar.
Bazilika e Shën Klementit është një nga vendet më të vizituara në Romë. E ngritur
në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e rindërtuar
disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket e Shën
Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Çirili e
Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar nga
Nerva, me një spirancë të varur në qafë Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen
akoma afresket e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me
shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane. Për Papën Klementi
I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej tyre mësojmë
se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua e vendin e tij
e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati i Romës iu besua
Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar, pas Shën Pjetrit.
Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin e e kishte ende
ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ua përcolli pasardhësve, që u ulën
pas tij në fronin e Shën Pjetrit.
Një nga këta pasardhës qe Gjon Françesk
Albani, papa me origjinë shqiptare Klementi XI, që do ulej në fronin e Shën Pjetrit
më 23 nëntor, 311 vjet më parë. Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim,
lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë, kreu shkollimin e plotë në Romë e, falë
aftësive të tija, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar
i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i
Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm
ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur
kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krjiuan pas Traktateve
të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen
e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.
Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në
fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të
kinezëve e malabarezëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare
në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë. Në fushën e ndihmesës për atdheun e të
parëve, krenar për prejardhjen shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit,
organizoi, më 14 janar 1703 Kuvendin e Arbënit në Mërçi të Lezhës dhe botoi Aktet
e tij në shqip e latinisht, kontribut i madh për përhapjen e gjuhës e të kulturës
në trojet shqiptare, hap i parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli
që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze
drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.