2011-11-23 17:58:33

Benedikti XVI përshëndet një delegacion të përbërë nga ipeshkvij katolikë dhe metropolitë ortodoksë.


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti një delegacion të përbërë nga ipeshkvij katolikë e metropolitë ortodoksë, që morën pjesë në Forumin II Evopian Katoliko-Ortodoks me temë “Marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit”. Forumi u mbajt në Rodi, tetorin e kaluar. Delegacioni shoqërohej nga presidenca e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Ccee), së cilës Papa, gjatë audiencës, i drejtoi urimin e tij të përzemërt me rastin e 40-vjetorit të organizmit. Delegacioni i dorëzoi Atit të Shenjtë një botim të posaçëm të Akteve të Forumit, mbajtur në Rodi.
Kujtojmë se në kremtimin e këtij përvjetori, në Romë, marrin pjesë edhe prelatët shqiptarë, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë dhe kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare të Shën Çirilit e Metodit.
Takimi me Atin e Shenjtë – deklaroi në përfundim të audiencës, kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit dhe kryetar i Ccee-së, dëshmon respektin dhe vullnetin reciprok të Kishës Romake Katolike dhe Kishave Ortodokse në Evropë, për të vijuar bashkërisht misionin e dëshmimit të Ungjillit të Krishtit si dhe për të promovuar njohjen dhe respektimin e vlerave, që i sjell kristianizmi Evropës, të prekur rëndë nga shekullarizimi, në kërkim të identitetit të humbur.
Qëllimi i këtij takimi – deklaroi metropoliti i Patriarkanës Ekumenike, Genadio i Sasimës, duke kujtuar Forumin e Rodit, nuk është diskutimi i problemeve teologjike, që trajtohen në nivele të tjera, por përqendrimi i përbashkët mbi problemet antropologjike, me rëndësi vendimtare për ardhmërinë e njerëzimit.
Në audiencë mori pjesë edhe metropoliti Hilarion i Volokolamskut, që i solli Papës përshëndetjet e Patrikut të Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill.Forumi IV do të mbahet në Lisbonë, me ftesën e Patrikut vendas, Josè da Cruz Polikarpo, në qershor të vitit 2012.







All the contents on this site are copyrighted ©.