2011-11-22 15:14:18

“Çështja e Zotit sot” në qendër të Asamblesë së 25-të të Përgjithshme të Këshillit Papnor për Laikët


Çfarë na mësojnë sot, ata që kthehen në rrugën e Zotit? Si mund të flasim për Hyjin në ditët tona? Cili është terreni, në të cilin besimtarët e jo besimtarët mund të shkëmbejnë idetë? Këto janë pyetjet, të cilave do të përpiqet t’u përgjigjet Asambleja e 25-të e Përgjithshme e Këshillit Papnor për Laikët, që do të mbahet në Romë, nga 24 deri më 26 nëntor.
Asambleja, informon komunikata për shtyp, do të ndahet në dy pjesë. E para, do të reflektojë mbi temën: “Çështja e Zotit sot. ‘Ndoshta, a nuk duhet të rifillojmë sërish nga Zoti?’”. Tema është citim i Papës Benedikti XVI, marrë nga libri-intervistë “Drita e botës”. Do të flitet për thirrjen dhe misionin e besimtarëve, që jetojnë sot në shoqëri, ku përpiqen ta mënjanojnë Zotin nga sfera publike. Ndërkaq, në ditën e dytë, do të diskutohet mbi mënyrën e shkëmbimit të ideve ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve dhe mbi dëshminë e të krishterëve në fusha të ndryshme të jetës. Do të paraqitet përvoja e “Oborrit të jo besimtarëve”, një etapë e të cilit u zhvillua edhe në Tiranë, javën e kaluar. Në ditën e tretë, do të reflektohet mbi gjuhën më të përshtatshme për të folur për Zotin para njeriut bashkohor dhe mbi mësimet, që ofrojnë njerëz të mëdhenj ateistë, të kthyer në rrugën e Hyjit.
Pjesa e dytë e asamblesë do të ketë një seksion vlerësimi për punën e bërë në periudhën e kaluar nga maji i vitit 2010 (asambleja e mëparshme) deri më sot. Gjithashtu, do të diskutohen nismat për të ardhmen, në veçanti, Kongresi për laikët katolikë të Afrikës, që do të zhvillohet në Kamerun, në vitin 2012 dhe, Dita e 28-të Botërore e Rinisë, parashikuar në Rio de Zhaneiro, në vitin 2013. Tri ditët e punimeve, do të përfundojnë me audiencën e pjesëmarrësve me Benediktin XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.