2011-11-22 15:24:27

Komisioni amerikan për borxhin dështon. Obama kritikon republikanët


Superkomisioni amerikan antidefiçit dështon pas tre muaj bisedimesh ndërmjet demokratëve e republikanëve, të cilëve, më në fund, iu desh të deklaronin me shkrim se nuk qenë të zotët të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Pra, nuk ranë dakord për shkurtimin e shpenzimeve me 1.200 miliard dollarë. “Nuk jemi në gjendjen e verës së kaluar, nuk rrezikojmë falimentimin”, por borxhi duhet ulur, pohoi presidenti Barak Obama, duke kritikuar ashpër republikanët për mungesën e vullnetit e të përgjegjësisë në arritjen e kompromisit. Gjithashtu, ai kërcënoi se do të vendosë veton kundër hyrjes në fuqi të shkurtimeve automatike, parashikuar në rastin e dështimit të superkomisionit, që sipas gjasave, duhet të zbatohen duke filluar nga viti 2013.
Agjensitë e ratingut, Standard & Poor’s dhe Moody’s, i lanë të palëvizura tre A-të e gjykimit për SHBA-të, por lajmet mbi mosarritjen e marrëveshjes bënë që bursa e Uoll Stritit të binte menjëherë. Në bazën e mosmarrëveshjes, janë taksat, të cilat republikanët nuk duan t’i rrisin për më të pasurit, dhe programet e asistencës, të cilat demokratët nuk duan t’i shkurtojnë, nëse nuk shtohet presioni fiskal mbi ata, që kanë më shumë.
Ndërkaq, edhe Evropa po përpiqet të ngrejë disi kryet, pas pasojave të krizës ekonomike. Në qendër të takimeve të sotme në Bruksel, pas atyre të djeshme për Greqinë, ishte Italia, me vizitën e kryeministrit të qeverisë teknike, Mario Monti, i cili bisedoi me Presidentin e Komisionit Evropian, Barroso dhe me atë të Këshillit Evropian, Van Rompuy. Objektivi i Montit është rritja e besueshmërisë së Romës në skenën ndërkombëtare, para takimeve të së enjtes në Strasburg, me kancelaren gjermane Merkel dhe me presidentin francez, Sarkozì.







All the contents on this site are copyrighted ©.