2011-11-22 15:14:02

Imzot Eteroviç: Jezusi e çliron Afrikën nga të gjitha skllavëritë.


Për Nxitjen apostolike pas-sinodale, “Africæ munus”, intervistuam imzot Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve:

Përgjigje: - E fton mbarë Kishën ta jetojë realitetin e pajtimit me Zotin e me të afërmin, për të qenë mjet i paqes, veprimtare e drejtësisë në shoqërinë, ku Zoti e ka thirrur të jetojë e të punojë. Ati i Shenjtë, me këtë dokument, i jep Kishës në Afrikë udhëzime konkrete për veprimtarinë baritore në dhjetvjeçarët e ardhshëm, duke nënvizuar detyrën e dorës së parë në misionin ‘ad Gentes’, kumtimin e Ungjillit në gjirin e njerëzve, që nuk e njohin ende Jezu Krishtin. Benedikti XVI i fton ipeshkvijtë, si dhe të gjithë veprimtarët e Kishës, ta gjallërojnë ungjillëzimin aktual, të parë posaçërisht nën dritën e pajtimit, të drejtësisë e të paqes.

Pyetje: - Flitet edhe për laikët, të cilët thirren në vijën e parë të frontit për ungjillëzimin e ri….

Përgjigje: - Laikët, të mirëformuar nën dritën e Ungjillit e të Doktrinës shoqërore të Kishës, janë të ftuar ta çojnë kudo dritën e Ungjillit, të bëhen kripë e tokës në familjet e tyre, në mjediset ku jetojnë e punojnë, në fushën e kulturës, të ekonomisë, e edhe të politikës. Një fushë, kjo, e veprimtarisë së laikëve, që dokumenti e vë në pah, duke i ftuar të gjithë të mos kenë frikë ta dëshmojnë publikisht fenë e tyre të krishterë.
Një mesazh i rëndësishëm i dokumentit, ashtu si i Sinodit, është siguria se Jezu Krishti e çliron Afrikën nga të gjitha llojet e frikës atavike, nga shpirtrat e këqinj, nga praktikat e magjisë e të shtrigërisë… Jezu Krishti i ngjallur, që fitoi mbi mëkatin e mbi vdekjen, mund ta çlirojë Afrikën nga çdo forcë, që synon ta paralizojë! Ftesa e Papës Benedikti XVI “Afrikë, ngrihu e ec” është ideja udhëheqëse e Nxitjes, që ofron dritën e Ungjillit, forcën e Shpirtit Shenjt për ta realizuar këtë projekt kërkues, por edhe të mundshëm, në sajë të provanisë Hyjnore.

Pyetje: - Mund të themi, në fund të fundit, se kjo Nxitje është ftesë për pendesë, për kthim në rrugën e Zotit, sepse vetëm kështu mund të copëtohen të gjithë zinxhirët, që vijojnë t’i mbajnë lidhur realitetet e ndryshme të Afrikës?

Përgjigje: - Thirrja për pajtim vlen për mbarë Kishën, e madje, për mbarë botën. Ati i Shenjtë i drejtohet në mënyrë të posaçme Afrikës, ku, për fat të keq, vijon të përdoret rëndom edhe dhuna, ku ndizen luftëra të reja, ku krijohen probleme nga më të ndryshmet, e edhe një mori sfidash. Lajmi i mirë, Ungjilli, është tharmi, që duhet ta përmbysë këtë situatë: Kisha duhet të kumtojë atë, që tashmë jeton; duhet të kumtojë pajtimin në gjirin e vet. Kisha, familje e Zotit, shtegtare në Afrikë, duhet të japë e para shembullin e pajtimit, të vëllazërisë vërtet kristiane, që shemb çdo pengesë, fiton mbi çdo përçarje, kapërcen çdo vështirësi për mirëkuptim, që mund të krijohet nga gjuha, kultura, etnia, për t’u impenjuar, të gjithë së bashku, në sigurimin e paqes e të drejtësisë, tema shumë aktuale për mbarë botën e, në mënyrë të veçantë, për Afrikën.








All the contents on this site are copyrighted ©.