Duke shfletuar kalendarin e 22 nëntorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Çeçilen.
Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat
në historinë e martirëve. Çeçilja, e nderuar si martire e si pajtore e muzikantëve,
është një nga shtatë vashat, që kujtohen nga Kanuni Romak. Asaj iu kushtua bazilika
në Trastevere të Romës, një nga më të lashtat e krishterimit, ngritur rreth vitit
313, në epokën e Kostandinit. E edhe festa e martires është ndër më të lashtat: nisi
të kremtohej në bazilikën e saj, që në vitin 545. Një rrethanë tjetër domethënëse
është ajo e varrosjes së martires në katakombet e Shën Kalisitit, fare pranë vendvarrimit
që njihej me emrin “Kripta e papëve”. Ishte papa Pasquali I ai që e mbarti trupin
e Shenjtores-martire nga katakombet në bazilikën trasteverine. Shenjtja romake
njihet edhe si pajtore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet,
ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin. Në
vitin 1500 sarkofagu i saj u hap e trupi i Shenjtores u gjet krejtësisht i paprishur,
i mbështjellë me një petk mëndafshi qindisur me ar. Atëherë skulptori i njohur Shtjefën
Maderno skaliti në mermer shtatoren e saj të famshme, duke riprodhuar besnikërisht
pozicionin e trupit të martires. Është një nga kryeveprat e skulpturës botërore të
të gjitha kohëve. Tekste të shumta letrare, pak të besueshme, rrëfejnë një sërë
ngjarjesh dramatike nga jeta e Shën Çeçiles. Flasin për tortura të tmerrshme, tregojnë
se deshën t’ia presin kokën, por nuk munden, ndonëse i ranë tri herë me shpatë, derisa
ajo vetë u lut të merrnin fund torturat. Kulti i shenjtores u përhap menjëherë në
shumë vende, për shkak se me martirizimin e saj tronditës, preku thellë zemrat e njerëzve
e u bë model për të gjitha virgjërat e krishtera, shumë nga të cilat u pagëzuan e
pagëzohen me emrin Çeçile, që në shqip mori edhe trajtën e shkurtuar, Çile e atë përkëdhelëse,
Çiljetë.