2011-11-22 15:21:10

40-vjetori i KKIE-së. Kardinal Bertone: në Evropë, laicizëm jo tolerant


“Në Evropën e sotme është gjithnjë e më e vështirë të dallohet e vërteta nga gabimet e gënjeshtrat. Një lloj i caktuar pluralizmi nuk dëshiron të lejojë, që të dallohet e mira nga e keqja. Përkrah laicitetit të shëndoshë është i pranishëm një laicizëm jo tolerant”. Kështu foli sot paradite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, gjatë kremtimi të 40-vjetorit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.
“Shpesh abuzohet me parimin e mosdiskriminimit – shpjegoi ai – duke e përdorur si armë në konfliktin ndërmjet të drejtave, në mënyrë që të ndërtohet një diktaturë e relativizmit, e cila ka prirjen ta përjashtojë Zotin, përmasën publike të fesë, ose praninë e simboleve fetare, duke u vendosur kështu, në pozicion konflikti me vlerat tradicionale të krishtera: kundër martesës së një burri me një grua, kundër mbrojtjes së jetës nga zënia deri në vdekjen e natyrshme”.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli edhe për krizën globale ekonomike, e cila – theksoi – tregon sa i gabuar është një treg, që i referohet vetëm vetvetes dhe ngre pikëpyetje akute mbi përgjegjësinë dhe etikën në proceset financiare. Pasojat e krizës, tha kardinali Bertone, e shtyjnë edhe një herë njeriun të kërkojë kuptimin e jetës së tij, të shohë qëllimin e fundmë të saj e t’i japë sërish rëndësi dinjitetit e përshpirtërisë së qënieve njerëzore. Kisha, përfundoi prelati i lartë, ka ndërmend ta pranojë këtë sfidë dhe ta ndihmojë shoqërinë për ta përballuar.
Kujtojmë se në këtë veprimtari, marrin pjesë edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita dhe kryeipeshkvi i Tivarit e kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shën Çirilit e Metodit, imzot Zef Gashi.








All the contents on this site are copyrighted ©.