2011-11-21 17:45:17

Sot, në festën e Paraqitjes së Zojës në tempull, Kisha lutet për bashkësitë monastike në mbarë botën.


Sot Kisha kremtoi festën e Paraqitjes së Zojës në Tempull. Mbi këtë paraqitje të Marisë, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijërí të parë, na flasin vetëm tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon festën që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.RealAudioMP3
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.
Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën vjetore Pro orantibus, kushtuar rregulltareve të klauzurës, duke kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, duke u paraqitur në tempull, është ikonë profetike e atyre, që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.
Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qëndër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë.
Sivjet kremtimi kryesor i Ditës u mbajt në Romë. Prefekti i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, imzot João Braz de Aviz kremtoi Meshën Shenjte në Vilën e Meditimit, shtëpi pritëse për murgeshat në kalim nëpër kryeqytet. Por, të dëgjojmë dëshminë e motrës Maria Françeska Padovan, murgeshë vizitandine, aktualisht në manastirin ‘Mater Ecclesiae”, në Vatikan, ku çdo tri vjet ndërrohen urdhërat rregulltare të bashkësive ndërkombëtare kundruese, që luten posaçërisht për Papën:

Përgjigje: - Përvoja ime është ajo e një murgeshe të thirrur në urdhërin e Vizitacionit: hyra në manastir, sepse e kuptova se ky ishte vullneti i Zotit për mua. E pashë këtë vullnet si shprehje të një dashurie të pafundme. Vij nga manastiri i Shën Vito al Taliamento, një nga manastiret e Konkordia-Pordenone, në zonën Friuli-Venezia- Gjulia, ku e kaloj ditën me punë, lutje e jetë në bashkësi. Ndajmë bashkë gjithçka, duke dhuruar vetveten e duke u bindur. Jeta jonë bazohet pikërisht mbi këtë harmoni, në zemër të së cilës është Trinia Shenjte.

Pyetje: - Kush janë motrat vizitandine e cila është veçantia e urdhërit?

Përgjigje: - U themeluam në vitin 1610 nga Shën Françesku i Sales; karizma jonë mund të përmblidhet në një frazë të vetme të Ungjillit “Zoti është dashuri”. Jemi, prandaj, kundruese në Kishë, domethënë, të thirrura për t’iu kushtuar lutjes, një lutjeje të jetuar me dashuri të pafundme, në miqësi të ngushtë me vetë Zotin, në përpjekje për ta bërë të dukshme zemrën e Zotit, që rreh plot dashuri për njerëzit. E në lutjen tonë mundohemi të përmbledhim gjithë dashurinë, gjithë dhimbjen, gjithë mirësinë e, në një farë mënyre, edhe të gjitha plagët e njerëzimit, për t’i paraqitur para fronit të Zotit!
Jeta e klaustraleve është gati-gati e pandjeshme, por jashtëzakonisht e gjallë në zemër të Kishës. E Dita Pro Orantibus në Kishë, shërben pikërisht për ta bërë të dukshme praninë tonë të padukshme, në bashkim me mbarë Kishën.

Kujtojmë se në Itali ka më se 534 kuvende klauzure me 6.800 murgesha e 360 rishtare. Në vendet e ndryshme të Evropës numrohen 1.800 kuvende, në Afrikë, 90, në Azi 180, në SHBA 190, në Amerikën Jugore 740, gjithsejt 3.534 kuvende femërore klauzure në mbarë botën me 47.626 murgesha e 8.107 rishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.