2011-11-21 16:38:47

Përqafimi i Papës me fëmijët e Beninit. Problemet e tyre në tregimin e një motre misionare, prej 42 vjetësh në Afrikë


Një ditë pas përfundimit të udhëtimit të Papës Benedikti XVI në Benin të Afrikës, bëhen bilance e vihen në pah edhe një herë, takimet më të bukura, aspektet më të rëndësishme të vizitës së Atit të Shenjtë. Njëri prej tyre është pa dyshim, takimi me fëmijët, të shtunën, në famullinë e Shën Ritës në Kotonu, pas vizitës në shtëpinë “Paqe e gëzim” të Motrave të Nënë Terezës, të cilat e ndihmojnë këtë kishë të kujdeset për fëmijët e braktisur e të sëmurë. Një ylber shumëngjyrësh tingujsh, vallesh e duartorkitjesh, një festë plot lule, tullumbace e këngë, qenë korniza e takimit të Pasardhësit të Shën Pjetrit me të vegjlit e botës afrikane. Papa i këshilloi të luten, t’u flasin të tjerëve për Jezu Krishtin, t’u përçojnë atyre dashurinë, që ndjejnë nga takimi me Hyjin e gjallë në lutje, në Eukaristi, në adhurimin e Kryqit dhe ua besoi fëmijët e Beninit e të krejt Afrikës Zojës së Bekuar. Ajo ju mëson si ta doni Jezusin gjithnjë e më shumë, përmes lutjes, faljes dhe bamirësisë e dashurisë, u tha Benedikti XVI të vegjëlve.RealAudioMP3
Pavarësisht se Papa, në të gjitha fjalimet e tij, vuri theksin në aftësinë dhe dëshirën e afrikanëve për t’u çliruar nga problemet e për të ndërtuar shoqëritë e tyre, pa e tepruar në thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ta shpëtuar Afrikën, problemet në kontinent ekzistojnë e janë të shumta. Edhe fëmijët preken prej tyre. Vërtet, nëse lexohet Nxitja Apostolike pas sinodale “Africae munus”, që Benedikti XVI u dorëzoi ipeshkvijve në Benin, pikërisht pjesa, që u kushtohet fëmijëve, është e mbushur me çështje si fëmijët ushtarë, fëmijët shtriganë, sëmundjet, ushqimi i keq… Në vijën e parë të frontit për shpëtimin e jetës së të vegjëlve është edhe motra italiane kamiliane Lina Ravaneli, misionare në Benin, që prej 32 vjetësh, pas 10 vjetësh shërbimi në vende të tjera afrikane. Në Zinviè, 40 km larg Kotonusë, ajo ka themeluar një ndër qendrat e para për të luftuar sëmundjet e fëmijëve. Ta dëgjojmë:
Fëmijët vuajnë, duket se nuk kanë mbështetje në familje, sidomos nëpër fshatra. Prindërit dhe familjarët e tjerë kujdesen pak për ta, pasi problemet janë të shumta. Ne përpiqemi t’i kurojmë fëmijët dhe t’i nxisim prindërit t’i duan më shumë, duke i ndihmuar e duke ua bërë të qartë sa vuan fëmija pa ta. Kemi kuruar me mijëra, falas, pa dallim feje. 150 janë birësuar në distancë nga familje italiane e kjo u jep mundësinë të shkojnë në shkollë.
Sa kushton të ndihmosh një fëmijë në Afrikë?
Pesëmbëdhjetë euro mundësojnë një kurë trimujore për fëmijët e ushqyer keq. Deri tani, Provania Hyjnore dhe bamirësit na kanë ndihmuar, por problemi është se prindërit nuk i sjellin më fëmijët për kontroll. Ne u japim ilaçe, ushqim dhe u caktojmë data për kontroll, por shpesh, ata nuk paraqiten. Sipas mendësisë nëpër fshatra, faji për sëmundjen është i “shtriganit”, i “magjistarit”, që u dërgon fëmijëve sëmundjen, prandaj ajo nuk mund të kurohet me ilaçe. Është e tmerrshme të vdesësh kështu.
Gjithsesi, ju qendrën e keni plot, pra ka fëmijë që vijnë…
Vijnë të fryrë nga sëmundjet, që shkakton uria e, kur shfryhen, pas 15 ditësh duan të ikin, por problemi nuk është zgjidhur akoma e do të duhej të qëndronin në qendër për ta marrë veten. Fëmija është akoma krejtësisht i çekuilibruar e, nëse nuk kurohet, rrezikon të vdesë. Do të doja që Papa të sillte edhe rinovim shpirtëror në këto zona, që kanë nevojë për fenë, e cila duhet të ndjehet më thellë e t’ua ndryshojë zemrat të gjithëve, duke i bërë më njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.