2011-11-21 16:33:44

Atë Federiko Lombardi: shpresa, zemra e mesazhit të Papës në Benin


Cila është fjala më e dëshiruar, mesazhi më i pritur, që la Papa në Benin? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është njëkohësisht edhe bilanc i shtegtimit të Benediktit XVI në trojet afrikane. Ta dëgjojmë, nga drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Shpresa, si çelës që i hap portat Kontinentit afrikan, për një hov të ri kah e ardhmja: ky është mesazhi kryesor i shtegtimit të Papës në Benin si dhe mesazhi i Nxitjes apostolike pas-sinodale “Africæ munus”. Më duket se është kjo pika kryesore, mbi të cilën duhet vënë mirë theksi: jemi mësuar pak si tepër, posaçërisht në kontinente të tjera e në vise të tjera të botës, të shikojmë kryesisht aspektet negative, që natyrisht, nuk mungojnë, të flasim për vuajtjet, sëmundjet e kështu me radhë, duke e mbyllur horizontin, që hapin aspektet pozitive. Është fjala për aspektin e vuajtjes, që duhet kapërcyer me burimet e mëdha, të cilat mund e duhet të çlirohen; për ndihmën, që duhet dhënë, në se duam t’ia arrijmë qëllimit, përmes qeverisjes së mirë, edukimit, mbështetjes për zhvillim, kumtimit të shpresës së krishterë. Më duket se afrikanët s’kishin nevojë për shumë fjalime, për ta kuptuar këtë mesazh shprese, gjë që e tregoi qartë gëzimi, me të cilin e pritën Papën.

Pyetje: - Mund të themi se rezultatet e kësaj vizite nuk përfundojnë me largimin e Papës nga Afrika. Përkundrazi, fjalët e Benediktit XVI projektohen kah e ardhmja…

Përgjigje: - Po, Papa e tha këtë pikërisht në përfundim të Meshës, duke ua dorëzuar Nxitjen Apostolike kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore; tani, në një farë mënyre, dorëzimi i këtij dokumenti mbyll udhën e përgatitjes së kremtimit të Sinodit, të mbledhjes dhe sintetizimit të rezultateve të Asamblesë sinodale. Për t’i hapur rrugën asimilimit, vënies së tyre në jetë. E më duket se dokumenti e thekson si s’ka më mirë këtë, sepse ka shumë propozime konkrete për punën baritore të Kishës, e jo vetëm në fusha të ndryshme të apostullimit e të përvojës, duke vënë në plan të parë nismat që mund të fillojnë së shpejti, si shpallja e Vitit të pajtimit, Ditëve ose javëve të pajtimit, të cilat mund të organizohen nga konferencat e ndryshme ipeshkvnore. Mund të themi, prandaj, se ecja në udhën e hapur nga vizita e Atit të Shenjtë, duhet vijuar e nuk duhet ndërprerë në asnjë mënyrë, duke menduar se tashmë u arrit qëllimi. Nuk ishte pikarritje, kjo vizitë. Ishte pikënisje!

Pyetje: - Gjatë vizitës, Papa u takua me autoritetet politike, por edhe me fëmijët, viktimat e para të qeverisjes së keqe në Afrikë. … Ndoshta ishin dy çastet më simbolike të këtij shtegtimi…

Përgjigje: - E thatë shumë mirë: edhe unë pata përshtypjen se çastet më simbolike, të cilat të mbeten në mendje – njëherësh me festën e madhe eukaristike përfundimtare, Meshën aq festive, me pjesëmarrjen e përfaqësive të të gjitha Konferencave ipeshkvnore - ishin pikërisht fjalimi drejtuar qeveritarëve, prijësve të shoqërisë dhe takimi me fëmijët, sepse të parët janë në një farë mënyre, përgjegjës për të ardhmen, të dytët, e ardhmja! Papa thotë: “Mos i lini popujt tuaj pa shpresë! - ndërsa i fton qeveritarët për urti, përgjegjësi, qeverisje të mirë.
Nga njëra anë, pra, qeveritarët, e nga ana tjetër, fëmijët, e ardhmja konkrete, e nisur tashmë, që jetojnë në mes të vështirësive, që mund të bëhen viktima të padrejtësive, të sëmundjeve, të varfërisë, ndërsa duhet të jenë thesari që, i ndjekur me vëmendje të madhe, mund të japë një pasuri burimesh njerëzore e shpirtërore të jashtëzakonshme, nga të cilat varet ardhmëria e vetë Afrikës. Ja, më duken dy figura domethënëse: Papa, që u flet me zë të fuqishëm qeveritarëve; e Papa, që takohet plot dashuri me të nesërmen, me fëmijët, të cilët duhet të mbrohen e të lulëzojnë. Shpresoj se të gjithë do ta kuptojnë këtë. Pastaj duhet theksuar se pamjet e vizitës së Papës flasin vetë; e flasin shumë konkretisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.