2011-11-20 18:33:07

Impenjimi i Afrikës: editorial i atë Federiko Lombardit


Për shtegtimin e Papës në Benin, të dëgjojmë drejtorin tonë, atë Federiko Lombardin, në editorialin e tij për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:RealAudioMP3

“Papa flet për Afrikën, si për një mushkëri vigane shpirtërore për njerëzimin në krizë feje e shprese. Një kontinent, që është i pasur jo vetëm me të mira materiale - siç e dinë mirëfilli të gjithë ata, që kërkojnë ta shfrytëzojnë - por edhe me pasuri njerëzore e shpirtërore, me dashuri për jetën, aftësi krijuese e kulturë.
Dëgjimi i Ungjillit dhe, si pasojë impenjimi i Afrikës për Krishtin – është ky titulli i Nxitjes përfundimtare të Sinodit, që Papa e paraqet në Benin – mundet jo vetëm t’i nxjerrë popujt e kontinentit nga vështirësitë e tyre, por edhe t’i bëjë protagonistë të rrugës së re, në një mijëvjeçar të ri.
Filli, që bashkon fjalimet e Papës dhe përshkon tejembanë Nxitjen, është shpresa, Kjo është fjala kyçe, që përsëritet vazhdimisht në etapat e ndryshme të shtegtimit drejt ndërtimit e pajtimit, drejtësisë e paqes. Është fjala, që Papa e shqipton me zë të lartë, kur u drejtohet krerëve e liderëve: “Mos i lini popujt tuaj pa shpresë! - ndërsa i fton për urti, përgjegjësi, qeverisje të mirë. Kisha katolike merr pjesë çdo ditë në jetën e popullit, përpiqet konkretisht për shëndetin, për edukimin, për zhvillimin e tij të gjithanshëm njerëzor e kulturor, e inkurajon të marrë pjesë lirisht në jetën shoqërore e politike. Shpresa, për të cilën flet Kisha, e frymëzon njeriun për impenjim tokësor e për fisnikëri, duke i hapur para horizontin shpirtëror të përjetësisë. Kush e do aq fort Afrikën, sa të ketë sot guximin t’i thotë se mund të jetë ‘Kontinent i shpresës?’. Kisha katolike, që frymëzohet nga Shpirti Krijues i Hyjit dhe ndjen veten vërtet afrikane, ka dhantinë e kësaj dashurie e të këtij guximi!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.