2011-11-19 18:45:14

Përqafimi i Papës me fëmijët e Beninit.


Sot pasdite Papa vizitoi “Vatrën e Paqes e të Gëzimi”, për të cilën kujdesen motrat e së Lumes Nënë Terezë, misionaret e bamirësisë së Kotonusë. Vijoi, pastaj, vizitën në famullinë e Shën Ritës, ku u takua me fëmijët beninas.
Por, në ç’kushte jetojnë sot fëmijët e Beninit? Flet ati kapuçin, Egjidio Pikuçi, drejtor i Revistës misionare "Continenti":

Përgjigje: - Gjendja e fëmijëve në Benin është tragjike. Ndoshta shumëkush e kujton se, dy vjet më parë, u ndalua një anije, që nisej nga Kotonu, në drejtim të vendeve të tjera. Ishte plot me fëmijë beninas, që drejtoheshin nga plantacionet e kakaos ose të kallamit të sheqerit. Ishin shitur. Pastaj është rasti i fëmijëve të cilët, sapo lindin, akuzohen si shtriganë. E kjo, sepse kanë ndonjë të metë fizike, ndonjë dhëmb, vesh a sy të shtrembër. Besohet se fëmijë të tillë kanë sy të keq e i sjellin fatkeqësi familjes dhe vendit ku jetojnë. Prandaj mbyten menjëherë.

Pyetje: - Në vijën e parë të frontit për shpëtimin e fëmijëve vijon të jetë Kisha…
Përgjigje: - Natyrisht Kisha, përmes bashkëpunimit të instituteve të ndryshme fetare. Kur rregulltarët marrin vesh se në ndonjë shtëpi ka lindur një fëmijë, që është në rrezik, vrapojnë ta marrin e ta strehojnë në shtëpinë e ngritur nga ipeshkvi i N’pdalit, në Veri të vendit, pikërisht për të strehuar ferishtet, që për shumëkënd janë shtriganë të vegjël. Askush nuk e di me saktësi ku ndodhen, sepse, po u mor vesh, i kapin përsëri e i zhdukin. Për këtë situatë janë njoftuar edhe Kombet e Bashkuara të Gjenevës. Përfaqësuesit e Organizatës në mbrojtje të të drejtave të njeriut mbetën me gojë hapur nga habija, kur dëgjuan historitë tragjike të ‘shtriganëve të vegjël’. Prandaj mund të themi se kjo vizitë e Papës lë një gjurmë të thellë. Duke u mbështetur në autoritetin e tij, uroj që ky problem të bëhet i njohur botërisht e të pasohet edhe nga ndonjë ndërhyrje konkrete për të ardhmen. E shpresoj se do të ketë edhe të tjerë, që do të bashkëpunojnë me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e besimtarët katolikë për t’i shpëtuar fëmijët e pafajshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.