2011-11-19 17:28:42

Lutja e Atit të Shenjtë pranë varrit të kardinalit Gantin


Pas takimit privat me presidentin e Beninit, Papa shkoi në Ouidah, seli e seminarit të San Gall. Një turmë e pabesueshme e shoqëroi Atin e Shenjtë gjatë 40 kilometrave të rrugës për në Seminar, duke i dëshmuar afrikanisht, gjithë dashurinë dhe entuziazmin e Afrikës për Benediktin XVI.
Në seminar Papa u lut para varrit të kardinalit Bernardin Gantin, një nga figurat më të rëndësishme të Kishës beninase dhe të mbarë Afrikës, vdekur në vitin 2008, në moshën 86 vjeçare. Kardinali Gantin ishte dekan i Kolegjit Kardinalor, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Për të flet, në mikrofonin tonë, atë Gjulio Çekieti, sekretari i tij për njëzet vjet me radhë:
Përgjigje: - Kardinali Gantin ishte me të vërtetë njeri i Zotit. Të rrije pranë tij, do të thoshte të pasuroheshe ditë për ditë, e të bëhej zemra mal kur shikoje sa shumë e donte Papën, Kishën, misionet, kur vëreje sa njeri i thjeshtë ishte, sa i përvuajtur. Model thjeshtësie, që të kuptonte menjëherë. Kur shkonim në zyrë, pasi kishim kremtuar Meshën, ai i përshëndeste edhe njerëzit, që nuk i njihte, që i takonte në ashensor ose në portineri. E më thoshte: “Gjulio, përshëndetjen na e kanë mësuar engjëjt. Ata përshëndesin gjithnjë, gjithkënd! Çuditem sesi njerëzit e kanë kaq të vështirë të përshëndesin. S’ka gjë më të bukur se t’i shikosh duke përshëndetur njëri-tjetrin, se t’ i dëgjosh kur thonë ‘mirëmëngjes” e “natën e mirë”. Të duket se pas një përshëndetjeje të tillë do të kalosh vërtet një ditë a një natë të mirë! Pyetja e parë që bënte, ishte: “Ç’kemi?”, “Si jeni?”. “Ç’thotë jeta shpirtërore?”. “E jeta familjare?”. “Si i ke të shtëpisë?”. E, kur fliste kështu, bota jote bëhej bota e tij. Prej këndej, të gjithë mbeteshin të prekur thellë. E vijojnë ta kujtojnë me të njëjtin shpirt, të prekur nga kujtimi i një njeriu, emri i të cilit mbetet përgjithnjë i skalitur në kujtesën e atyre, që patën fatin ta shikojnë e ta dëgjojnë duke përhsndetur me gjithë zemër.







All the contents on this site are copyrighted ©.