Kisha kumton të vërtetën e Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë
që njeh historia.
Vdekja e Jezusit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë
e njerëzimit: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri,
pa hijen e mburrjes ose të arrogancës dhe shpall në solemnitetin e Krishtit Mbret. Krishti
Mbret i universit është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë
hjerarkia e Kishës, çdo karizëm e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, jemi në shërbim
të sundimit të Tij. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë sepse
manifestohet mbi kryq: Jezusi i përbuzur e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur
mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur, pohon Ungjilli i kësaj feste,
hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të Drejtit të pafajshëm: e sheh të
kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të thotë të rrish me Krishtin,
sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu lavdia hyjnore tashmë
bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të të kryqëzuarit: “Në
Jezusin e kryqëzuar realizohet zbulesa më e madhe e mundshme e Hyjit në këtë botë,
sepse Hyji është dashuri e vdekja në kryq është akti më i madh i dashurisë në mbarë
historinë. E pra, mbi unazën kardinalore që do t’u dorëzoj pas pak anëtarëve të rinj
të Kolegjit kishtar, paraqitet pikërisht kryqëzimi. Ky, të dashur vëllezër, do të
jetë për ne ftesë e përhershme, që do të kujtojmë se cilit Mbret i shërbejmë, mbi
cilin fron është lartuar e si qëndroi besnik deri në fund të fundit, për të fituar
mbi mëkatin e mbi vdekjen me forcën e dashurisë e të mëshirës hyjnore. Kisha,
pra, është e thirrur t’ i shërbejë besnikërisht të së vërtetës së Krishtit, që vdiq
e u ngjall për shëlbimin e njerëzimit mbarë. “Kisha është rojtare e misterit të Krishtit,
plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës, sepse është fjala për dhuratën
më të lartë që ka marrë, pa kurrfarë merite, dhuratë të cilën është e thirrur t’ia
ofrojë falas njerëzimit të të gjitha epokave, për t’i hapur kështu horizontin e domethënies
së shëlbimit. Nuk është filozofi, s’është as dije, ndonëse i përfshin si njohjen,
ashtu edhe dijen. Është misteri i Krishtit; është vetë Krishti, Fjala e Hyjit, që
u mishërua, vdiq e u ngjall e u bë Mbret i gjithësisë”. E si mund të mos entuziazmohemi
e të mos ndjejmë një mirënjohje të thellë që u lejuam të sodisim shkëlqimin e kësaj
zbulese? “Si mund të mos e ndjejmë gëzimin, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë për
t’i shërbyer këtij Mbreti, për ta dëshmuar me jetë e me fjalë pushtetin e tij? Kjo
është, në mënyrë të veçantë, detyra jonë, të nderuar vëllezër besimtarë: t’i kumtojmë
botës vërtetësinë e Krishtit, shpresë për çdo njeri dhe për mbarë familjen njerëzore”
. Me këtë mision lidhet ngushtë impenjimi për paqen ndërmjet të gjithë njerëzve,
si shenjë e paqes që Jezusi erdhi t’ia sillte botës përmes kryqit: “Kisha është ajo
pjesë e njerëzimit në të cilën tashmë duket sundimi mbretëror i Krishtit, që gjen
shprehjen e vet tek paqja. Është Jeruzalemi i ri, akoma i papërkryer, sepse shtegtar
në kohë, por i aftë për të parashijuar, në një farë mënyre, Jeruzalemin qiellor… Lutja
për paqen dhe unitetin është misioni i parë e kryesor, që Kisha të jetë e fortë dhe
e bashkuar simbol e mjet i unitetit për mbarë gjininë njerëzore” (krh Lumen gentium,
1)