2011-11-17 15:51:49

Sali Berisha: Vatikani kontribut për ngritjen e dialogut ndërfetar e intelektual në Shqipëri


Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim në Tiranë Presidentin e Këshillit Papnor për Kulturën, Hirësinë e Tij, Kardinalin Gianfranco Ravasi, i cili shoqërohej në këtë takim nga Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, imzot Ramiro Molinari Ingles, bëri të ditur zyra për shtyp e Kryeministrisë.
Kryeministri Berisha e falënderoi Kardinal Gianfranco Ravasin për kontributin që po jep në një ngritje cilësore të dialogut ndërfetar dhe intelektual, si një nga mënyrat më të mira për promovimin e vlerave të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare në Shqipëri.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se 20 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë është një rast për vlerësimin e ndihmesës që kanë përbërë këto marrëdhënie në ringjalljen shpirtërore në Shqipëri.
Duke rikujtuar si një ngjarje madhore vizitën e Papa Gjon Palit në Shqipëri, kryeministri shqiptar përforcoi edhe një herë dëshirën për ta pasur Papa Benediktin XVI si të ftuar nderi gjatë vitit jubilar.
Hirësia e Tij, Kardinali Ravasi, shprehu kënaqësinë dhe entuziazmin për interesin që ishte treguar ndaj leksioneve të tij nga një rini shumë e pjekur dhe energjike, mbajtur këtyre ditëve në Tiranë në kuadrin e nismës së Dikasterit të Vatikanit që drejton ai, ‘Oborri i Paganëve’.
Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kardinali Ravasi premtoi se do të mbështet sjelljen e librit "Meshari" i Gjon Buzukut për t'u ekspozuar në Tiranë, si dhe organizimin e veprimtarive kulturore në komunitetet arbëreshe të Italisë.
Kardinal Ravasi gjatë qëndrimit në Shqipëri pat një seri leksionesh në Universitetin e Tiranës, Universitetin Evropian dhe atë Universitetin "Zonja e Këshillit të Mirë". (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.