Atë Lombardi: i papranueshëm, instrumentalizimi i fotografisë së Papës në reklamë
Papa Benedikti XVI puth në buzë Imamin e Universitetit Al Azhar të Kajros. Është njëra
nga fotografitë e fushatës publicitare “Unhate”(Jo urrejtje) të markës së njohur të
veshmbathjeve Benetton, e cila po shkakton debate të mëdha, që para se të paraqitet
në media. Vërtet, pas protestës së Vatikanit për përdorimin e instrumentalizuar të
fotografisë së Papës, Benettoni e hoqi këtë reklamë nga qarkullimi, pavarësisht se
në reagimin e krerëve të tij, shihet habia për moskuptimin e mesazhit, që sipas tyre,
është thjesht lufta kundër kulturës së urrejtjes, në çdo formë të saj. Por, problemi
nuk qëndron te mesazhi, siç nënvizon zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi,
por tek mënyra e paraqitjes së tij. “Duhet shprehur një protestë e vendosur
për përdorimin krejtësisht të papranueshëm të figurës së Atit të Shenjtë, manipuluar
e instrumentalizuar në kuadrin e një fushate publicitare me qëllime tregtare – deklaron
atë Lombardi. Kemi të bëjmë me një mungesë të rëndë respekti për Papën, me fyerjen
e ndjenjave të besimtarëve, me një rast të qartë, që tregon se në fushën e reklamave
mund të dhunohen rregullat më elementare të respektit ndaj njerëzve, me qëllim që
të tërhiqet vëmendja, përmes provokimit”. Ndërkaq, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit
njoftoi sot se ka ngarkuar avokatët e vet “të ndërmarrin, në Itali e jashtë saj, të
gjitha veprimet e nevojshme për të penguar qarkullimin, edhe përmes mediave, të fotomontazhit,
realizuar në kuadrin e fushatës së Benettonit”. Të njëjtat hapa, ka vendosur
t’i bëjë edhe imami maroken i Romës, Abdul Abderraim, i cili ka ngarkuar një avokate
për ta çuar çështjen para gjyqit. Theksojmë se fotografia e Papës dhe e imamit të
Al Azharit është fotomontazh, ashtu si edhe fotografitë e tjera të fushatës së Benettonit,
që paraqesin kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Nikolas Sarkozy,
presidentin amerikan Barak Obama dhe homologun e tij kinez Hu Jintao e çifte të tjera
liderësh botërorë.