2011-11-16 13:53:16

Përfundon 'Oborri i takimit me jobesimtarët' në Tiranë. Kardinali Ravazi: Shqipëria ka etje për fe, drejtësi, vërtetësi.


Në Tiranë sot, dita e tretë dhe e fundit e “Oborrit të takimit me jobesimtarët”, me praninë e kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën. I prekur thellë nga takimet në Shqipëri me njerëz plot etje për të vërtetën, Kryetari i dikasterit vatikanas,kardinali Ravazi shprehet kështu në mikrofonin e Klaudia Bumçi nga Tirana:....RealAudioMP3

Pyetje: - Nuk është hera e parë që ju merrni pjesë personalisht në një takim të kësaj natyre. Ç’mbresa të veçanta po ju lë Shqipëria?

Përgjigje: - Mbresa kryesore është e habitshme: lidhet me një fjalë, që nuk kisha menduar kurrë se do ta përdorja: është fjala ‘freski’. Përfytyroja njerëz të dalë nga një natë e errët, që bëjnë përpjekje të mundimshme për të ecur drejt në rrugën e re, duke mbajtur mbi supe edhe peshën e perëndimit konsumistik, e cila ka nisur të ndjehet fort edhe këtu, ashtu si në vise të tjera të lindjes ish-komuniste. Konsumizëm pas komunizmit. Por, krejt në kundërshtim me atë që prisja, gjeta një vend të freskët, me njerëz të freskët, të etur për të renë, në kuptimin më të bukur të kësaj fjale.
Simbolik, takimi në Universitetin Shtetëror ku, në një sallë përplot me studentë, munda të flas edhe për çështje aspak të thjeshta, si çështja e së vërtetës, e modernizmit dhe post-modernizmit, e dialogut, e bindjeve të ndryshme. E gjithë kjo, përballë një plateje, që nuk e kisha përfytyruar kurrë, për shembull, në ndonjë nga universitetet e Italisë a të botës perëndimore. I fola një plateje me studentë, që dinë jo vetëm të shprehen, por edhe, e sidomos, të dëgjojnë me vëmendjen më të madhe, në heshtje absolute. E kjo, ndoshta, është sjellje, e cila ndikohet pikërisht nga periudha që kanë jetuar, e cila ka lënë gjurmë të thella në shpirtrat e tyre.

Pyetje: - Në takim me Universitetin Evropian të Tiranës, ju dëgjuat edhe zërin e ekonomistëve, të juristëve e të specialistëve të fushave të tjera. Mua, në se më lejohet të përdor një shprehje shumë të njohur shqipe, paksa të modifikuar, m’u duken po aq katolikë, sa vetë Papa. E juve?

Përgjigje: - Kjo është e vërtetë e këtë aspekt mund ta shikojmë edhe nga një anë tjetër, duke pasur parasysh sulmin e pashembullt, që u bë këtu kundër fesë. Ne, në perëndim, nuk reagojmë kështu, për arsye ndoshta edhe historike, sepse ateizmin tashmë e kemi lënë pas shpine. Tashti na shqetësojnë probleme të tjera të mprehta: indiferenca, qëndrimi i përciptë ndaj fesë e shumë e shumë sëmundje të tjera, pasojë e kohëve të reja, që Shqipëria nuk i jetoi paralelisht me ne, por po nis t’i jetojë tani. Ndërsa këta njerëz, që e kanë provuar ateizmin më agresiv, me të gjitha pasojat e tij tragjike, kanë të drejtë të plotë ta gjykojnë ashpër të kaluarën e t’i mbrojnë me zjarr fenë, përshpirtërinë, vlerat. Madje, nganjëherë i mbrojnë edhe më me forcë, se ne, që jemi në shërbim të drejtpërdrejtë të Kishës. E, në këtë drejtim, është e vërtetë se janë më katolikë, se katoliku ynë tradicional.

Pyetje: - Përveç përfaqësuesve të botës së kulturës, ju u takuat edhe me autoritetet më të larta politike në vend….


Përgjigje: - Po, folëm me Ministrin e Kulturës dhe me Presidentin e Republikës. U takuam e folëm për një lidhje të veçantë, për një rast të veçantë: atë të njëqind vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, parë kryesisht në aspektin kulturoro-artistik. E sidomos, u ndaluam tek mundësia për bashkëpunim me Bibliotekën e Vatikanit e cila, në se do të ketë kërkesë zyrtare, mund t’i huajë, me këtë rast, Shqipërisë, një nga dokumentet më të rëndësishme për historinë e saj, librin e parë të shqipes së shkruar, që njihet deri më sot. E kemi fjalën për Mesharin e Buzukut.
Ka shumë mundësi të kemi edhe shkëmbime veprash të artit bashkëkohor evropian, për të thelluar, kështu, komunikimin edhe në këtë drejtim.E, duke kujtuar mbrëmjen në shesh, edhe shkëmbime muzikore. Dëgjuam një kor me origjinalitet të jashtëzakonshëm. Do të ishte mirë të bëhej i njohur në botë, për t’i kujtuar sesi nga përshpirtëria e thellë, lind arti i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.